Eksperti i mjedisit Abdulla Diku, thotë se për dy TEC-et lundruese në Vlorë, ka mungesë informacioni dhe se rreth tyre dihet në mënyrë të përgjithshme kapaciteti që djegin, por se nuk dihet as kategoria e naftës, por thuhet se është naftë e rëndë.
Në një lidhje me MCN Live, Diku cilësoi të rëndë faktin se transparenca me publikun është zero dhe se merren njerëz nga administrata dhe thuhet se u bë dëgjesë publike, por se dëgjesë e mirëfilltë publike nuk është bërë.
E keqja më e madhe direkte është se vlonjatët do e ndjejnë shumë shpejt sasinë e madhe të dioksidit të karbonit që do çlirohet në atmosferë dhe do rri rreth e rrotull Vlorës.
Problem tjetër janë oksidet e sulfurit që shkaktojnë shira acide dhe sjellin probleme të tjera në shëndet. Një ngarkesë e madhe dioksidi karboni dhe rreziqe për dëmtime të tjerra nga shirat acide.
TEC-et kanë ardhur më shumë si dhuratë për një kompanie amerikane për të cilën është lobuar në Tiranë dhe Amerikë për ta kënaqur financiarisht.
Nëse dëgjojmë deklaratat e ministres se kompania po humb para, janë dokrra. Se nuk ka logjikë që një kompani në kohë krize të humbë para në Shqipëri, por i bëhet nder kësaj kompanie për shkak të lobimeve që ka bërë dhe kostot i paguan qytetari shqiptar.
TEC- i Vlorës mund të vihen në punë me 5 apo 10 milionë dhe nuk kishim pse blinim energji nga këto TEC-e që cilësia e tyre është shumë më e ulët. Nëse digjen 200 ton naftë ditë në ditë, sasia e CO2 është 600-700 ton dioksid karboni emetim.
Ndërkohë që Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje për reduktimin e gazeve serë, ku është zotuar se do të punojë fuqishëm për reduktimin e gazeve serë.
Është sasi jashtëzakonisht e madhe pavarësisht se mundohet të devijohet impakti që këta përbindësha kanë dhe nuk janë efiçent në prodhimin e energjisë.



