Një takim i ngrohtë, ku nuk munguan deklaratat politike, u zhvillua së fundmi në Moskë mes patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe Porfirije dhe Presidentit rus Vladimir Putin.

Takimi vjen në prag të vizitës të pritshme të Aleksandër Vuçiq-it në Moskë, ku në 9 maj do të festohet fitorja ndaj nazizmit, pjesëmarrje që mund ta nxjerrë Serbinë nga shinat e integrimit europian, kanë paralajmëruar drejtues të lartë të BE-së.
Deklaratat politike të Putinit dhe patriarkut serb janë kritikuar edhe nga kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, i cili thotë se kemi të bëjmë me një partneritet strategjik të regjimeve autoritare që vënë në rrezik të gjithë rajonin.
Deklarata nga takimi
Patrirkana e Moskës ka publikuar në faqen e saj bisedën e plotë mes presidentit rus dhe patriarkut, ku ndër të tjera shefi i Kremlinit shprehet:
“Unë e di se Kisha Ortodokse Serbe jep një kontribut të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve midis popujve tanë, të cilët tradicionalisht mbajnë marrëdhëniet më të ngrohta, më të afërta dhe më të besueshme të aleancës”.
“Marrëdhëniet ruso-serbe kanë gjithmonë një karakter të veçantë, dhe kështu është edhe sot. Kjo është, ndër të tjera, sepse ne jemi të lidhur me rrënjë të përbashkëta të forta, të thella, shpirtërore”, vijon ai. Putin po ashtu përshëndet pjesëmarrjen e Presidentit të Serbisë në ceremoninë që do të mbahet në Moskë më 9 maj, ku do të përkujtohet Dita e Fitores ndaj nazizmit.
Shefi i Kremlinit vë në dukje ndër të tjera se situata në Ballkan s’është e lehtë, dhe është i vetëdijshëm për përpjekjet e presidentit serb për forcimin e pozitave të Beogradit në rajon. Ndërsa patriarku Porfirije solli në vëmendje lidhjen e fortë që ka pasur në të kaluarën Kisha Serbe me atë ruse. Duke cituar peshkopin Irinj, Porfirije shprehet:
“Varka jonë e vogël që lundron në det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur me anijen e madhe ruse”.
Po ashtu patriraku tha se ndonëse mund të tingëllojë disi paradoksale, populli serb ka një shpresë më të madhe te politika ruse se sa te vet politika e brendshme.
Porfirije foli me termat e Vuçiq-it edhe mbi protestat e fundit që pushtuan Serbinë, duke thënë se kemi të bëjmë me një “revolucion me ngjyra”, ku qendrat e pushtetit të Perëndimit nuk duan zhvillimin e identitetit dhe kulturës së popullit serb.
Reagimi i Kurtit
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e konsideroi takimin e Kremlinit si shqetësues, duke vënë në dukje se Kisha Ortodokse Serbe për një kohë të gjatë ka luajtur rol aktiv politik.
“Patriarku Porfirije bëri thirrje për një rreshtim më të gjerë gjeopolitik nën udhëheqjen ruse, duke përsëritur se ‘varka e vogël serbe, duke lundruar në një det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur pas anijes së madhe ruse’. Ai po ashtu sugjeroi se qëndrimi i Serbisë ndaj fqinjëve të saj Kosovës, Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi varet nga pozita globale e Rusisë”, shkroi Kurti në “X”.
“Kjo nuk është diplomaci fetare, është një partneritet strategjik i regjimeve autoritare, duke e vënë rajonin në rrezik serioz”, tha Kurti. Ai shtoi se Kosova qëndron e palëkundër në parimet dhe aspiratat e saj demokratike, dhe pa asnjë ekuviok hedh poshtë agjendat revizioniste që dirigjohen nga pushtete autoritare.



