(Në foto: Brian Syzo, Nikolla Agolli)
Zbardhet plagosja e ndodhur mesditën e djeshme në Pogradec, duke vënë në pranga dy persona dhe shpallur në kërkim dy të tjerë, që të gjithë me precedent penal për krime kundër personit.
Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 3, Pogradec, ku u plagos me armë zjarri, në këmbë 35-vjeçari Brian Syzo, ku të arrestuarit janë Nikolla Agolli, 24 vjeç, banues në fshatin Buçimas, dhe David Prifti, 30 vjeç, banues në lagjen nr. 1, Pogradec, u vunë në pranga.
Ndërsa dy të shpallurit në kërkim janë M. B., 40 vjeç, banues në lagjen nr. 2, Pogradec, dhe E. A., 22 vjeç, banues në fshatin Buçimas.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, për shkak të konflikteve të mëparshme me Brian Syzon, kanë tentuar ta vrasin atë duke e qëlluar me armë zjarri, gjatë kohës që ai ndodhej në automjetin e tij, të parkuar në lagjen nr. 3, Pogradec.
Njëri prej autorëve kryesorë u lokalizua dhe u arrestua vetëm pak minuta pas ngjarjes, si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe ndjekjes së pandërprerë nga shërbimet e Policisë.
Gjatë veprimeve hetimore u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, tre automjete dhe 6 aparate celularë.
Ndërkohë 35-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.
Lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.



