Shoqëria e pastrimit ECO Tirana sha, ku Bashkia Tiranë zotëron 51 % të aksioneve, ka shpallur tenderin me objekt “Furnizim me karburant për Eco Tirana sh.a”, me fond limit 1.5 miliardë lekë.
I njëjti objekt ndër vite është prokuruar me vlera shumë më të larta krahasuar me vitet paraardhëse. Ajo që vihet re është tejfryrja e fondit limit nga viti në vit dhe përfitimi i tenderave nëpërmjet një skeme të dyshimtë, ku fitues shpallet i njëjti bashkim operatorësh, që hyn në garë i vetëm dhe fiton me 100% të vlerës së fondit limit.
Duke e krahasuar me vitin 2022 për të njëjtën periudhë (12 mujore) sasia e karburantit të porositur këtë vit, ka një rritje me 140.702 litra. E përkthyer në para 300 milionë lekë më shumë.
Rritja e vlerës së fondit limit në këtë rast, nuk lidhet me rritjen e çmimit të karburantit, por i dedikohet rritjes së sasisë së porositur.
Numri i mjeteve të pastrimit që kjo shoqëri zotëron të paktën gjatë dy viteve të fundit, sipas të dhënave zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit nuk ka ndryshuar. Shoqëria Eco Tirana rezulton se ka në përdorim 55 mjete pastrimi.
Nga 254 milionë lekë karburant që kjo shoqëri shpenzonte në vitin 2017 sot shifra ka arritur në 1.5 miliardë.
Këtë vit elektoral me 300 milionë lekë më shumë karburant se vitin e kaluar, duket se Tirana do të shkëlqejë.



