
Rusia ka caktuar aktorin amerikan, Steven Seagal, në rolin e të dërguarit special për të përmirësuar lidhjet me SHBA-të. Seagal e ka marrë shtetësinë amerikane në vitin 2016 dhe nuk ia ka kursyer lëvdatat presidentit rus, Vladimir Putin, të cilin e ka quajtur lider të madh botëror.
I lindur në SHBA, ylli i arteve marciale fitoi famë ndërkombëtare për rolet e tij në filmat aksion të viteve ‘80-’90. Kohët e fundit, ai ka qenë një nga emrat e akuzuar nga disa femra për ngacmim seksual, në kuadër të fushatës #MeToo, por gjithmonë i ka hedhur poshtë akuzat.
Në një njoftim në faqen zyrtare në “Facebook”, Ministria e Jashtme ruse sqaron se Seagal do të bëjë punë vullnetare dhe pozicioni i tij i ngjan atij të ambasadorit të vullnetit të mirë të Kombeve të Bashkuara. Seagal do të promovojë marrëdhëniet SHBA-Rusi në sferën humanitare.
Aktori 66-vjeçar ka mbrojtur qëndrimin e Rusisë në lidhje me akuzat për ndërhyrjen e saj në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016. Përveç shtetësisë ruse, Seagal ka edhe atë serbe, madje e ka vizituar disa herë Serbinë.



