
Një i vdekur dhe një i plagosur është bilanci i një konflikti të ndodhur pasditen e sotme në Shosh të Dukagjinit.
Sipas të dhënave të para, viktima është Zef Guri, ndërsa djali i tij Gjin Guri ka mbetur i plagosur rëndë. Dinamika e ngjarjes mbetet ende e paqartë.
Mësohet se forca të shumta policie janë nisur drejt vendit të ngjarjes për të nisur hetimet, ndërsa autori është larguar në drejtim të paditur.
Paraprakisht dihet se personit të plagosur, Gjin Guri, në nëntor të 2021 i është vendosur një sasi tritoli tek lokali i tij në Shosh.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 18:45, në sallën operative të Policisë Shkodër ka ardhur një telefonatë se në malin e Shoshit, ishin plagosur me armë zjarri shtetasit Gj. G. dhe Z. G.
Shtetasi Gj. G. po transportohet në spital, për ndihmë mjekësore, ndërsa shtetasi Z. G. ka humbur jetën disa minuta pasi ka ndodhur ngjarja.
Shërbimet e Policisë, së bashku me grupin hetimor, janë nisur menjëherë për në vendngjarje, por për shkak të largësisë dhe të terrenit të vështirë nuk kanë mbërritur akoma.
Me mbërritjen e shërbimeve dhe grupit hetimor, në vendngjarje, dhe pasi të sqarohen rrethanat e ngjarjes, do të ketë një njoftim tjetër.



