Kush është pas projektit të resortit në Zvërnec? (VIDEO)

Kush është pas projektit të resortit në Zvërnec? (VIDEO)

Pak kilometra në veriperëndim të qytetit të Vlorës shtrihet Laguna e Nartës dhe në brendësi të saj gjendet një ishull i mbuluar me pisha të larta, Zvërneci.

 

E vetmja ndërtesë në këtë zonë është një manastir i periudhës së Perandorisë Bizantine i ndërtuar në mesin e shekullit të 13-të.

 

Pamjet që ofron peizazhi i kësaj zone është vështirë të gjenden ndokund tjetër në vendin tonë.

 

Shpendët shtegtarë vizitojnë çdo vit ishullin duke ofruar një spektakël bukurie për vizitorët.

 

Jo më kot, Zvërneci ndodhet brenda zonës së mbrojtur Pishë-Poro Nartë, jo vetëm për bukurinë natyrore të saj, por dhe për habitatin unik të shpendëve, faunës së egër dhe dunave ranore.

 

Bukuria e këtij vendi e ka bërë Lagunën e Nartës e veçanërisht Zvërnecin atraktiv jo vetëm për ambientalistët, biologët dhe admiruesit e natyrës, por dhe për investitorët të cilët e kanë parë si një pikë atraktive që mund të tërheqë pushues elitarë.

 

Zvërneci ka patur ndër vite përplasje sa i takon titujve të pronësisë të banorëve në këtë zonë dhe personave kontroversë që kanë arritur të përfitojnë dokumente për të shtënë në dorë dhjetëra hektarë tokë.

 

Një investigim i rrjetit ndërkombëtar të Raportimit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, OÇRP, do të hidhte dritë për herë të parë se çfarë po ndodhte me marrjen e tokave në këtë zonë nga persona me të shkuar kriminale, zyrtarë dhe biznesmenë të rëndësishëm.

 

Gjendja e vështirë e fshatarëve është e zakonshme në kombin ballkanik, një nga vendet më të varfra në Evropë, ku përpjekjet për reformën e tokës janë penguar nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni. Në disa raste, procesi është rrëmbyer nga gangsterë të dyshuar si Artur Shehu, i cili, së bashku me disa nga anëtarët e familjes së tij, akuzohet se ka vjedhur rreth 500 hektarë pasuri të paluajtshme në afërsi të Vlorës”, thuhet në artikull.

 

Artur Shehu njihet si një figurë me lidhje në krimin e organizuar në Shqipëri dhe degë e mafies së fuqishme italiane. Ai është larguar nga vendlindja e tij në vitin 1999 pas një përplasje vdekjeprurëse në lokalin e tij në Vlorë.

 

Shehu kërkoi azil në SHBA, dhe e mori në vitin 2001. Në vitin 2019 u pajis me ‘green card’ e cila i hapi rrugën për të marrë shtetësinë. Pavarësisht daljes së tij të nxituar nga Shqipëria, ai ka vazhduar të drejtojë operacionet atje nga siguria e një pallati në bregdetin e Floridës. 

 

Shehu nuk është akuzuar zyrtarisht për krim, por bashkëpunëtori i tij Pëllumb Petritaj, i cili mbikëqyr shumë nga pronat e tij, është shpallur fajtor për falsifikim për të marrë tokë për llogari të familjes Shehu. Megjithatë, aktivitetet e Shehut janë të njohura në vend. 

 

Një komision gjyqësor e përshkroi atë në vitin 2018 si “një lojtar kyç” në vjedhjen e tokës rreth Vlorës. E pyetur se pse nuk ishte marrë asnjë masë ndaj Shehut, pavarësisht dëshmive nga çështje të shumta dhe juridiksione, prokuroria e Vlorës nuk pranoi të komentonte”, vijon shkrimi. 

 

Bukuritë e bregdetit të Vlorës nuk janë parë si mundësi investimi vetëm nga biznesmenët vendas, por dhe nga të huajt, edhe pse në raste mediat ndërkombëtare kanë ngritur pikëpyetje për qëllimin e vërtetë që fshihet pas këtij biznesi. Kështu do të shihej nga disa, shpalosja e planit të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit ametikan Donald Trump dhe bashkëshortes së tij Ivanka. 

 

Në prag të publikimit të një artikulli nga prestigjozja New York Times, shpalli idenë për të zhvilluar projekte turistike në Shqipëri. 

 

Inciativa përfshinte ndërtimin e resorteve në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit, ku për këtë të fundit parashikohej të ndërtohen 10 mijë njësi akomodimi, ndërsa në Sazan, vila dhe hotele. 

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin ende në fushatë dhe askush nuk mund të vinte dot një bast se cili do të ishte kandidati fitues. Megjithatë kjo nuk ndali asnjë nga palët për të përgatitur lidhjen e fijeve politike me interesat ekonomikë.

 

Qeveria shqiptare duket se bëri gati terrenin për të patur një mbështetje nga republikanët nëse do të vinin në pushtet dhe pala që lidhej me presidentin e sotëm të SHBA-ve siguroi një linjë biznesi nga një shtet i gatshëm për të dhënë favore. 

 

Në një tjetër investigim i dy viteve më parë po nga New York Times, hodhi dritë mbi fijet e financimit të projektit dhe favoreve administrative që do të merreshin në Shqipëri.

 

Lidhjet e Jared Kushner në Ballkan filluan të ndërtohen gjatë presidencës së parë të Donald Trump, kur vetë Kushner ka qenë një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë dhe ka punuar për marrëveshjet me Richard Grenell. Ky i fundit ka shërbyer për një kohë të shkurtër drejtor i inteligjencës kombëtare nën presidencën e Trump, ambasador në Gjermani dhe i dërguar i posaçëm në Ballkan.

 

Pjesëmarrja e Kushner në projektet e investimit në Shqipëri pritej të bëhej nëpërmjet firmës së tij të investimeve, Affinity Partners, e cila ka 2 miliardë dollarë financim nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite dhe disa qindra miliona dollarë me origjinë nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. 

 

Kushner themeloi kompaninë e tij të investimeve pasi la punën në Shtëpinë e Bardhë si këshilltar i lartë. Në biznesin e tij nuk do të mungonte dhe mbështetja nga lidhjet që kishte krijuar gjatë kohës që shërbeu në administratën e Shteteve të Bashkuara, siç ishte një marrëdhënie e ngushtë me princin e kurorës Mohammed bin Salman, sundimtarin de fakto të Arabisë Saudite.

 

Nga ana e tij, Richard Grenell krijoi kontakte të vlefshme gjatë kohës që shërbeu në administratën e parë të Trump në pozicionin e të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosove-Serbi, disa prej të cilave duket se i dhanë ekipit Kushner një rrugë të brendshme për investime në këtë rajon. 

 

Përfshirja e familjes Trump në marrëveshjet e biznesit ishte një pikë e nxehtë debati në mandatin e parë të Donald Trump, ku kritikët e paditën me pretendimin se familja e tij po përfitonte në mënyrë të paligjshme pagesa të huaja ose shpërblime në kohën që ishte në detyrë. 

 

Mediat amerikane zbuluan se menaxhimi i projekteve të Jared Kushner do të bëhet nga Asher Abehsera, një zhvillues në pasuritë e patundshme nga Kaliforinia, i cili bashkë me dhëndrin e presindetit të SHBA-ve ka bashkëpunuar në disa projekte në Brooklyn dhe ka qenë shoqërues bashkë me Richard Grenell në udhëtimin e familjes Kushner-Trump në Ballkan.

 

Në korrik të vitit 2023, Grenell bashkë me Ivanka Trump dhe bashkëshortin e saj u takuan edhe me kryeministrin Edi Rama në Tiranë. Vetë Ivanka ka ardhur disa herë në Shqipëri dhe ka vizituar qytetin e Vlorës dhe Zvërnecin. 

 

Por ajo që zbuloi prestigjozja The New York Times janë partnerët e përzgjedhur për të zhvilluar këtë biznes në Shqipëri. Kushner dhe Grenell kanë bashkëpunuar ngushtë me biznesmenin shqiptar Shefqet Kastrati dhe djalin e tij. 

 

Kastrati Group është një kompani e madhe e shqiptare e fokusuar në shitjen me shumicë dhe pakicë ë karburantit, zhvillimin e pasurive të patundshme dhe hoteleve dhe së fundi zotëron dy koncesione, një pjesë të aksioneve te firma që mirëmban rrugën e Kombit dhe koncesionin e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. 

 

Në tetor 2022, Shefqet Kastrati bleu një shtëpi prej 7.5 milionë dollarësh në Indian Creek, Florida siç tregojnë të dhënat e tokës, një pronë që është afër vendit ku jetojnë zonja Trump dhe zoti Kushner. Familja Kastrati gjithashtu vitin e kaluar bleu një hotel në seksionin Brickell të Miami për 55 milionë dollarë nga familja mbretërore e Katarit. 

 

Musa Kastrati, në një intervistë, tha se roli që kompania e tij familjare do të luante në projektet shqiptare të zotit Kushner nuk ishte ende i qartë, por ndoshta do të përfshinte ndihmën për ndërtimin e disa prej komplekseve. 

 

Z. Kastrati po ashtu konfirmoi se në dhjetor të vitit 2022 ka vizituar Mar-a-Lago, resortin dhe rezidencën e zotit Trump në Florida bashkë me zotin Grenell dhe se gjithashtu ka takuar shkurtimisht zotin Trump, kur ish-presidenti mbërriti teksa po darkonin. Zoti Kastrati tha se nuk ka diskutuar për marrëveshjen e mundshme me zotin Trump”, shkruante New York Times.

 

Pas fitores së Donald trump si President i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipëria nis punën për të hapur rrugën ligjore projekteve të këtyre investimeve.

 

Ligji për Investimet Strategjike ndryshon duke shtyrë afatin e tij me disa vjet të tjera e njëkohësisht u ndryshua dhe ligji për Zonat për Mbrojtura duke zgjeruar mundësinë e ndërtimit në afërsi të tyre. 

 

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj miraton dekretin për të nxjerrë jashtë Planit të Përhapjes së Forcave të Armatosura “Rajonin e stërvitjes dhe qitjes detare në Sazan, Vlorë”, vendi ku do të zhvillohet projekti i Jared Kushner, ndërsa disa javë më parë Kuvendi ndryshon ligjin për portet turistike duke u dhënë të drejtën investitorëve strategjikë të ndërtojnë edhe porte turistike pa iu nënshtruar procedurës së koncesionit. 

 

Më 30 dhjetor të vitit 2024 Komitetit i Investimeve Strategjike shpalli investitor strategjik me procedurë të veçantë kompaninë “Atlantic Incubation Partners Llc”, kompani offshore e regjistruar në shtetin e Delaware dhe e themeluar gjatë muajve të fundit. 

 

Vlera e investimit në këtë projekt arrin në 1.4 miliard euro, por siç citohet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike, nuk ka një plan biznes të përfunduar për të parë mënyrën se si do të gjenerohen flukset monetare që do të financojnë projektin, transmeton emisioni “Kronos” në MCN TV.

 

Duket se procedura që do të ndiqet do të jetë e njëjtë me atë të Portit të Durrësit, ku shteti shqiptar do të jetë pjesëmarrës në investim bashkë me kompaninë amerikane dhe përqindja e aksioneve bashkë me kontributin në kapital, asete apo taksa do ta vendosë një grup negociator që do të ngrihet me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Në fund do të jetë Kuvendi i Shqipërisë që do të miratojë një ligj të veçantë për t’i hapur rrugë zbatimit të projektit. 

 

Realizimi i tij deri në futjen në operim do të kërkojë kohë, pasi vetë vendimi parashikon një periudhë 10-vjeçare për statusin strategjik të resortit në ishullin e Sazanit.

 

Në entitetin juridik të përbashkët që do të krijohet me kompaninë ‘Atlantic Incubation Partners’ do të përfshihet Korporata e Investimeve dhe Albanian Seaports Development Company, e cila është gjithashtu bashkaksionere në projektin e ndërtimit të rezidencave të banimit dhe marinës turistike në Portin e Durrësit. 

 

Pas këtyre vendimeve, institucionet dhe vetë kryeministri që shpesh me krenari përmendte projektin nuk do të ndiheshin.

 

I vetmi rast që zbuloi se interesi i familjarëve të presidentit amerikan për investime në Vlorë nuk ishte zbehur, ishte vizita e Ivanka Trump në janar të këtij viti, e cila darkoi në Orikum me kryeministrin dhe arkitektë të njohur që e shoqëronin. 

 

Disa muaj më pas, aktivistët e lagunës së Nartës ngrenë alarmin se makineri të rënda, kamionë dhe autobote me naftë kishin hyrë në brendësi të pyllit Pishë-Poro, duke hapur rrugë kalimi për të rrethuar një sipërfaqe toke.

 

Punimet po nisnin në bazë të një leje të dhënë nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, për kompaninë “Zvërnec South Adriatic Development”.

 

Një investigim i Birn Albania zbuloi se tokat ku po hapet kantieri i ndërtimit janë të lidhura me një rrjet individësh dhe kompanish, disa të akuzuar për lidhje me krimin e organizuar e një pjesë të lidhur me pushtetin e disa me biznese të rëndësishme në vend. Tokat vazhdojnë të jenë objekt i konflikteve të pazgjidhura gjyqësore, ndërsa Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar një leje zhvillimi e cila lejon rrethimin e zonës. 

 

Dokumentet e marra nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, AZHT, tregojnë se është aplikuar për një leje që parashikon 47 mijë metra katrorë ndërtime në një sipërfaqe prej 2.5 hektarësh në Pishë Poro, me një investim të deklaruar prej 2.6 miliardë lekësh. Kompania offshore ka lidhur kontrata sipërmarrjeje me individë dhe kompani që figurojnë pronarë të mbi 2.5 milionë metrave katrorë tokë, ose 251 hektarë, në Zvërnec dhe Nartë”, shkruan Birn. 

 

Artur Shehu dhe persona të lidhur me të kanë nënshkruar një kontratë sipërmarrjeje me kompaninë zhvilluese si pronarë të parcelës me sipërfaqe prej rreth 108 hektarësh tokë.

 

Një tjetër sipërfaqe prej 78 mijë metrash katrorë zotërohet nga Feriare Ndreu (Petritaj), vajza e Pëllumb Petritajt, i cili ka qenë me masë sigurimi “arrest shtëpie” deri një vit më parë për falsifikimin e dokumenteve që i dhanë prona masive familjes Shehu në bregdet, përfshirë dhe ato të lidhura me resortin në Pishë Poro.

 

Një tjetër palë në kontratën e sipërmarrjes është kompania “AM-Invest”, e cila zotëron 25 mijë metra katrorë tokë. Kjo kompani është në pronësi të familjes së Alaudin Malajt, ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit Tiranë. Ish-gjyqtari zotëron 25% të aksioneve, të dhuruara nga nëna e tij, ndërsa pjesa tjetër kontrollohet nga babai dhe vëllai i tij. 

 

Malaj ka gjithashtu një histori me pronat në këtë zonë, pasi ka dhënë dy vendime lidhur me to. Një vendim civil në vitin 2013, që i njohu familjes Shehu 156 hektarë tokë në këtë zonë, duke përmbysur vendimin e Shkallës së Parë; si dhe një vendim penal në vitin 2019, ku ai, në cilësinë e relatorit – në një trup gjykues ku bënin pjesë edhe ish-gjyqtari Agim Bendo e ish-gjyqtarja Shpresa Beçaj – pushoi çështjen për falsifikim dokumentesh ndaj Pëllumb Petritajt. Të dyja këto vendime u kthyen për rigjykim nga Gjykata e Lartë, e cila konstatoi probleme në arsyetim”, thuhet në artikullin e Birn. 

 

Sipërfaqja më e madhe në projekt, rreth 1.2 milionë metra katrorë tokë, zotërohet nga “South Adriatic Development”, një kompani në pronësi 100% të Redi Strugës përmes “Smart Construction Invest”.

 

Struga është inxhinier dhe administrator i kompanisë projektuese “InfraKonsult” sh.p.k. Kompania e Strugës i ka blerë pronat nga zotërues të tjerë, përfshirë kompaninë “SERE”. Struga shërben përmes kompanisë “Albanian Land Development” si ura lidhëse me vëllezërit miliarderë Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat nga Katari, të cilët investojnë krah Kushnerit. 

 

Lista e bashkëzhvilluesve mbyllet me kompaninë “Ferdinant”, e regjistruar për prodhimin e mobilieve dhe në pronësi të biznesmenit Bujar Nasufi, i cili u vra në fillim të vitit 2025 në rrethana ende të paqarta, por që dyshohet se lidhen me një konflikt pronësie në Tiranë. Kompania e tij zotëron 94,500 metra katrorë tokë, ndonëse në Qendrën Kombëtare të Biznesit figuron në proces likuidimi që prej vitit 2009”, vijon më tej shkrimi. 

 

Po kush rezulton me dokumente të jetë investitori në këtë projekt? Kompania Zvërnec South Adriatic Development e cila është pajisur me leje zhvillimi rezulton të jetë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 5 gusht 2024 me kapital 50 mijë euro. Kjo shoqëri zotërohet nga kompani të tjera të fshehura në formën e guaskës në Holandë, të cilat rezultojnë 100% në pronësi të Universal Properties Project BV. 

 

Universal Properties Project është në pronësi të kompanisë guackë Interroyal B.V, Interroyal B.V. në pronësi të Blue Industries Investment Holding B.V dhe kjo e fundit menaxhohet nga Dutch Trust Management B.V.- kompani e specializuar për regjistrimin në Holandë dhe përfaqësimin e kompanive për klientë ndërkombëtarë. 

 

Është pikërisht kjo kompani që ka ngritur gjithë zinxhirin e guaskave, deri te shoqëria e regjistruar në Tiranë.

 

Pronarët e vërtetë të kompanisë që do të kryejnë zhvillimin në Shqipëri fshihen, në fund të zinxhirit. 

 

Ligji holandez nuk i bën publikë pronarët e kompanive, por vetëm drejtorët apo anëtarët e bordit të tyre. Prandaj, në vend të pronarëve të Blue Industries Investment Holding, ne njohim publikisht punonjësit e Dutch Trust Management të ngarkuar me përfaqësimin e saj të cilët janë deklaruar si pronarë përfitues të Zvërnec South Adriatic Development: Nikita Vinogradov (shtetas rus, i lindur më 1991) dhe Zoya Gyurova (shtetasë bullgare, e lindur më 1988). 

 

Janë dy punonjës të ngarkuar në Holandë me krijimin e kompanive që kontrollon gjithë zinxhirin deri te ajo e regjistruar në Shqipëri. 

 

Ndaj pyetja tjetër që shtrohet është se cilët janë pronarët e kompanisë mëmë të projektit të Zvërnecit, Blue Industries Investment Holding B.V.?

 

Një nga ortakët e kësaj kompanie është bërë i ditur në studimin për ndikimin në mjedis: kompania Assets Group, e njërit prej vëllezërve miliarderë sirianë Al-Khayyat. Në aplikimin për leje mjedisore pohohet se Assets Group është aksioneri më i madh i projektit dhe se ka “rolin kyç në drejtimin strategjik të projektit, strukturimin financiar dhe mbikëqyrjen e përgjithshme të zhvillimit”. Pjesëmarrës në këtë projekt është dhe Grupi Kastrati. 

 

Investigimi i Birn, nxjerr në pah se banorët e Zvërnecit janë shprehur se djali i tij ka shkuar për të negociuar me ta në lidhje me pronësinë e tokave, ndërsa punonjës të kompanisë së tij kanë qenë të pranishëm në takime me banorë të zonës gjatë vizitës së kryebashkiakes së Vlorës në Greqi me emigrantë. 

 

Konfliktet e pronësisë dhe frika e ambientalistëve për shkatërrimin e ekosistemit dhe peizazhit të kësaj zone nxitën disa protesta, ku ajo e të shtunës, ku shihej një protestues që hiqej zvarrë nga rojet e sigurisë së kantierit nxiti reagime të shumta në rrjete sociale.

 

Reagimet u rritën pas publikimit të pamjeve që punonjësit e policisë të pranishëm në këtë ngjarje nuk reaguan.

 

Këtu nis dhe operacioni i autoriteteve për të mbajtur në kontroll zemërimin. Drejtori i Policisë së Vlorës pezullohet nga detyra, ndërsa punonjësi i kompanisë së sigurisë arrestohet dhe autoritet njoftojnë heqjen e licencës për kompaninë e sigurisë.

 

Por kjo nuk ndali protestat. 

 

Pasditen e të dielës rrugët e kryeqytetit u mbushën me turmat e qytetarëve të cilët kërkonin anulimin e projektit të Zvërnecit dhe dorëheqjen e kryeministrit. 

 

Rama detyrohet që të dalë në një konferencë për shtyp dhe të sqarojë se çfarë po ndodh në Zvërnec. Ai përmendi investitorë amerikanë dhe miq të shqiptarëve, por pa përmendur emrin e Ivanka Trump dhe Jared Kushner dhe pjesëmarrjen e tyre në këtë investim. 

 

Foli për një vlerë investimi 4.5 miliard euro dhe kompaninë e dy miliarderëve sirianë me bazë në Katar, përmendi hapjen e 10 mijë vendeve pune në zonën e Vlorës, por në fund tha se nuk ka projekt!

 

Çuditërisht edhe partia më e madhe e opozitës mbështeti këtë investim, duke mos u bërë bashkë me protestuesit, por me qeverinë.

 

Por protesta vazhdoi me thirrje dhe kundër saj.

 

Prokuroria e Posaçme ndërkohë nisi të kryejë veprime aktive pas një regjistrimi penal të nisur një vit më parë lidhur me tjetërsimin e pronave në Zvërnec.

 

Raportohet se SPAK janë sekuestruar llogaritë bankare të kompanisë “Albania Land Development” në pronësi të Redi Strugës dhe llogaritë bankare të vëllezërve sirianë Al-Khayyat në Shqipëri. 

 

Protestat qytetare ndërkohë kanë vazhduar... ndoshta zemërimi këtë herë nuk ka ardhur vetëm për Zvërnecin, por për mënyrën se si pushteti ka menaxhuar pasurinë publike, duke e ndarë me ose pa ligj te oborri i tij, pa pyetur për askënd. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy