
Një ndër vlerësimet e Komisionit Evropian për plotësimin e pesë prioriteteve kyçe për Shqipërinë, sipas raportit të progresit të KE, është edhe çështja që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit. Në tërësi, paketa e zgjerimit e Komisionit Evropian përbën një dokument me rëndësi parësore për Shqipërinë në vlerësimin e ecurisë së procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Mirëpo, sipas këtyre vlerësimeve, Shqipëria ka bërë përparim veçanërisht në miratimin e planit të ri të veprimit 2018 - 2020 për zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit, ndryshimet në Ligjin për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, ligjin mbi Prokurimin Publik si dhe miratimin e Kodit të Sjelljës për anëtarët e Kuvendit. Themelimi i një Task Force kundër korrupsionit ka rritur në mënyrë aktive hetimet administrative. Rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë edhe procesin e vetting-ut, kanë çuar në shkarkimin nga detyra të një numri magjistratësh të rangut të lartë në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. Sipas këtyre vlerësimeve, themelimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) lejoi krijimin e organeve të specializuara antikorrupsion (Struktura Speciale Kundër Korrupsionit - SPAK; Byroja ·Kombëtare e Hetimit - BKH). Pas përfundimit të verifikimit të kandidatëve, organet do të bëhen operacionale, duke forcuar kapacitetin e përgjithshëm për të hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin. Megjithatë, në përgjithësi, korrupsioni është mbizotërues në shumë fusha dhe mbetet një çështje mjaft shqetësuese, thuhet në vlerësimin e Komisionit Evropian për plotësimin e pesë prioriteteve kyçe.
Duke u nisur nga këto gjetje për çështjen e korrupsionit, KE përveç vlerësimeve, jep edhe rekomandime afatshkurtra në lidhje me plotësimin e pesë prioriteteve kyçe.
Në tërësi, Komisioni Evropian, rekomandon që të bëhet përparim i mëtejshëm drejt krijimit të një historiku solid të sekuestrimit dhe konfiskimit të rikuperimit të pasurive kriminale, që rezultojnë nga veprat penale të korrupsionit; të rrisë më tej përdorimin e hetimeve financiare; të finalizohen procedurat për ngritjen e organeve të specializuara antikorrupsion, të përbëra nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; të sigurojnë burime të mjaftueshme dhe bashkëpunim midis këtyre strukturave të reja; të vazhdohet përmiresimi i aksesit në regjistrat elektronike kombëtare për prokurorinë dhe policinë, duke ngritur një sistem të integruar të menaxhimit të çështjeve midis policisë, prokurorisë dhe gjykatave; të përmirësohet më tej ligji për financimin e partive politike, Kodi Zgjedhor dhe ligji për konfliktin e interesit; të përmirësohet transparenca dhe kontrolli i financimit të partive politike; të vazhdojnë përpjekjet drejt konsolidimit të një historiku të rasteve të sekuestrimit dhe konfiskimit të rikuperimit të pasurive kriminale, që rezultojnë nga veprat penale të korrupsionit.
Së këndejmi, qeveria shqiptare shpreh gatishmërinë e saj për të përshpejtuar reformat, duke u fokusuar në plotësimin e reformës në drejtësi, e cila do t'i hapë rrugë krijimit të institucioneve të specializuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Bashkëpunimi intensiv mbi thellimin e mëtejshëm të zbatimit të reformave do të vijojë me vendet anëtare, të cilat do të vendosin lidhur me hapjen e negociatave, në vijim të rekomandimit të Komisionit Evropian.



