Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i tha CNN se Ukraina nuk është e gatshme të heqë dorë nga territori në pjesën lindore të vendit për t'i dhënë fund luftës me Rusinë dhe ushtria e Ukrainës është e përgatitur të luftojë ushtrinë e Moskës në rajonin e Donbasit, në një betejë që ai thotë se mund të ndikojë në rrjedhën e gjithë luftës.
Zelensky tha në një intervistë ekskluzive të premten me Jake Tapper të CNN se vendi i tij nuk ka asnjë garanci se Rusia nuk do të përpiqet përsëri të pushtojë Kievin nëse është në gjendje të pushtojë Donbasin.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ai ka ftuar presidentin francez Emmanuel Macron të vizitojë Ukrainën për të parë vetë se forcat ruse kishin kryer “gjenocid”.
Macron ka hezituar të përdorë fjalën gjenocid, duke deklaruar më parë se ai “nuk ishte i sigurt se një përshkallëzim i retorikës i shërben kësaj kauze.”
E ftova të vijë kur të ketë mundësi. Do të vijë të shohë dhe jam i sigurt se do ta kuptojë, tha Zelensky.
Zelensky ka thënë më parë se hezitimi i Macron për të përdorur termin ishte “shumë i dhimbshëm për Ukrainën”.
Shtetet e Bashkuara, të cilat historikisht kanë hezituar të akuzojnë shtetet për gjenocid, javën e kaluar akuzuan presidentin rus Vladimir Putin për kryerjen e akteve të gjenocidit duke u përpjekur të “fshijë idenë” e një identiteti ukrainas.
Konventa e OKB-së për gjenocidin, nënshkruese e së cilës është SHBA, kërkon që vendet të ndërhyjnë pasi gjenocidi të identifikohet zyrtarisht.



