SHBA do të dërgojë në Izrael një sistem të avancuar anti-raketor, dhe trupa amerikane për të operuar në të. Në një deklaratë të bërë sot nga Pentagoni thuhet se synimi është “forcimi i mbrojtjes ajrore të Izraelit pas sulmeve të paprecedentë të Iranit kundër Izraelit më 13 prill dhe përsëri më 1 tetor”.
Nuk është hera e parë që SHBA vendos sistemin THAAD në Lindjen e Mesme, tha në deklaratë gjeneralmajor Patrick Ryder, sekretari i shtypit i Pentagonit. Ai shtoi se i njëjti sistem është vendosur në Izrael në 2019-tën për stërvitje. Përafërsisht 100 trupa amerikane po vendosen në Izrael për të operuar baterinë THAAD, sipas një zyrtari të mbrojtjes amerikane. Është e rrallë që trupat amerikane të vendosen brenda Izraelit, por ky është një numër tipik i trupave për të operuar sistemin e mbrojtjes kundër raketave.
Lëvizja e fundit e Uashingtonit vjen në një kohë kur janë rritur ndjeshëm tensionet me Izraelit dhe Iranit.
Rajoni po përgatitet për një sulm të mundshëm izraelit ndaj Iranit që mund të vazhdojë të përshkallëzojë armiqësitë.



