Kryeministri Edi Rama nga Ura Vajgurore ka kërkuar sërish votat që kjo forcë politike të mund të ketë timonin dhe të qeverisë e vetme,
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë ka sulmuar edhe partitë e vogla.
Ai tha se ato nuk kanë asnjë përgjegjësi dhe nuk marrin asnjë përgjegjësi, por përkundrazi bëjnë kritizerin dhe çojnë mesazhe të kamufluara, gjysmë shantazh.
“Në këtë sistem republikash partiake brenda shtetit, gjërat nuk funksionojnë. Përgjegjësinë e kemi ne, nuk kërkojnë përgjegjësi tek të tjerët. Partitë e vogla marrin nga pushteti çfarë dëshirojnë por përgjegjësi nuk iu kërkohet, nuk marrin, përkundrazi bëjnë edhe kritizerin, me mesazhe të kamufluara, gjysmë shantazh dhe gjysma politikë konstruktive”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se ‘nëse s’ke kapacitetin qeverisës që të jetë autonom nga këto parti të vogla është e pamundur të bësh aq sa të kërkohet’.
“Ne me koalicionin kemi bërë shumë por për të vazhduar më me eficiencë kërkohet pushtet më i plotë. Nuk është puna se po kërkoj pushtet për vete. Këta kanë edhe mungesën më minimale të sensit etik. Përmendin fjalë, duke u përpjekur të na mveshin gjëra që ne nuk i bëjmë. Vendosmëria për të bërë gjëra që nuk janë bërë në çerek shekulli nuk është arrogancë. Po të ishim arrogantë dhe të kishim pushtetin si qëllim në vetvetet sot do kishim 100 e ca deputetë. Ne bëmë çmos që t’i përfshinim të gjithë, duke e futur veten në garë”, tha Rama.



