Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi, ka qenë i ashpër me kreun e KQZ-së dhe maxhorancës gjatë fjalës së tij në Parlament lidhur me një udhëzim që përcakton kushtet për pjesëmarrjen në zgjedhje të partive të reja. Blushi tha se kreu i KQZ-së, Denar Biba, ka shkelur ligjin, duke marrë një vendim që cenon Kodin Zgjedhor.
Pjesë nga fjala e Blushit
PS ka filluar që sot të denatyrojë procesin zgjedhor. Unë dhe zonja Hafizi vendosëm të largohemi nga ju se mbroni “Bankers”, korrupsionin, Elvis Roshin, Mark Frrokun. Duke zbatuar Kodin Zgjedhor, partitë me një mandat në Parlament, nuk kanë nevojë të regjistrohen. Çfarë vendos Denar Biba? Vendos që afati i këtij Kuvendi duhet të skadojë kur çdo parti dorëzon listat zgjedhore, pra më 28 prill. Pra për të djegur LIBRA-n, vendim i personalizuar. Ne nuk e kemi problem të marrim firmat për t’u regjistruar në zgjedhje, por pse shkelet ligji? Denar Biba, ndryshe “krenar që jam bibë”. Kjo është si historia para një viti kur isha me Rilindjen. Çdo natë ndryshonte statuti i partisë derisa u vendos që kryetar i partisë bëhet ai që zgjedh Ilir Meta si kryeministër.
A mund të ndryshojë kodi zgjedhor me një udhëzim të KQZ-së? KQZ-ja e Denar Bibës thotë se mund ta bëjë. Kjo është qesharake. Më kujton referendumin brenda PS-së. Vodhët votat! A ka parti që i vjedh votat vetes së vet? Ju që mendoni se Elvis Roshi është burrë i ndershëm. Këta janë hajdutët e Rilindjes. Gjysmat i kam sjellë vetë këtu dhe për këtë ju kërkoj falje.



