
Dorëzohet në polici njëri nga autorët e dyshuar për ngjarjen ku mbeti i vrarë Tauland Beqiraj. Skërdiam Grabani është dorëzuar ditën e sotme në polici. Grabani është dorëzuar pas më shumë se dy muaj nga ngjarja.
Gabrani ka qëndruar i fshehur në qytetin e Vlorës dhe gjatë gjithë kohës ai ka qenë shumë i tronditur për ngjarjen, ku ka pasur momente që në sytë e tij ka pasur lot. Ai tregon çfarë ka ndodhur atë ditë, ndërkohë që avokati i tij i cili e shoqëroj në ambientet e policisë flet për klientin e tij.
Si ndodhi ngjarja?
Nga sa është raportuar, shkak ka qenë një borxh i pakthyer nga viktima. Ditën e vrasjes, Tauland Beqiraj fillimisht ka debatuar me autorët në një lokal, pasi njëri prej tyre i ka kërkuar borxhin.
Si përgjigje Beqiraj u ka thënë se lekët s’ka për t’ua dhënë, madje ka kaluar në sharje dhe kërcënime duke u treguar armën që kishte në brez. Pas kësaj, Beqiraj është larguar me një makinë me xhama te zinj dhe ka shkuar në rrugën transballaknike i shoqëruar nga dy persona.
Pasi ka ecur rreth 10 metra në këmbë, Beqiraj i është afruar automjetit tip Ford me tre autorët brenda, ku nga pamjet e sekuestruara nga policia duken dy persona që zbresin nga Fordi dhe një prej tyre e qëllon me kallashnikov por ende nuk është identifikuar se kush prej tyre ka qëlluar.
Pas breshërisë se kallashnikovit janë dëgjuar edhe të shtëna me pistoletë dhe grupi hetimor ka dyshime se shokët e Beqirajt janë kundërpërgjigjur me duke qëlluar 3 herë në drejtim të Fordit.



