Kryetari i LZHK Dashamir Shehi në një intervistë për MCN TV e konsideroi një “puro propagandë” premtimin e Ramës për rritjen e pagës mesatare 900 euro brenda dy viteve. Shehi thekson se duhet bërë një skemë serioze, duke ruajtur piramidën e pagave dhe një gjë e tillë nuk bëhet një muaj para zgjedhjeve lokale. Ndër të tjera Shehi zbuloi se u tërhoq nga gara për bashkinë e Tiranës pasi sondazhet e tregonin poshtë Belind Këlliçit.
I pyetur se ku shkuan fondet për rindërtimin pas tërmetit, Shehi thotë:
Abuzohet me paratë publike, edhe këtë radhë është e dukshme. Po t’i bëjmë një inspektim të detajuar do shohim që në periferi të Tiranës, nëpër fshatra, janë bërë shtëpi të reja, për t’u bërë qejfin atyre që kanë marrë përsipër të mbledhin një grusht votash për PS. Që këtu janë shpërdoruar para pa hesap, që i ka në shpinë buxheti shqiptar...Se janë borxhe disa prej këtyre. Edhe donacionet duhet përdorur me nikoqirllëk, s’mund të përdore berihaj se po vijnë zgjedhjet. Kjo është histori klasike shqiptare, por nga kjo qeveri e ekzagjeruar në maksimum”.
Duke u ndalur te premtimi i Ramës për rritjen e pagave, i pyetur nëse ka shkelje të Kodit Zgjedhor, kreu i LZHK përgjigjet:
Këtu ka shkelje përtej Kodit Zgjedhor. Ky nëse do të bëjë një reformë për pagat, fare mirë mund të priste edhe një muaj sa të mbaronin zgjedhjet. Ta merrte seriozisht këtë punë. Unë ia kam propozuar 5 vjet më para. Tani meqë i duhen për zgjedhje, ia fut atje thotë 900 euro. Kur dëgjojnë një pjesë e fukarenjve të Shqipërisë mendojnë se po bëhet hataja. Duhet bërë një skemë serioze, duhet ruajtur piramida e pagave, duhet korrigjuar atje ku mund të korrigjohet. Me pagat në të gjithë botën merret Ministria e Punës, merret me pensionet, merret me politikat sociale. Ky këtë institucion e ka shkatërruar. Ky buxhet s’ka të gatshëm. Thotë do t’i bëj 900 euro për dy vjet. Unë i kam propozuar me skemë, që brenda 4 vjetëve pagat e shqiptarëve mund të bëhen dyfish. Pensionet janë mizërie. Një gropë kaq e madhe nuk mbyllet me lëmoshë, duke u dhënë 600 mijë pensionistëve 50 mijë lekë të vjetra. Kjo është tallje. Ne jemi si opozitë të bëhet një rritje serioze pagash, të mblidhen kontributet, dhe të rriten pensionet në një nivel minimal dinjiteti se s’kanë për të qenë kurrë si të Europës. Ky s’ka as buxhetin për këtë vit, s’ka as skemën, si do qëndrojnë brenda piramidës. Bën mirë që premton, por kam frikë se është gënjeshtra e radhës. Atë që thotë ai 900 euro duhet ta kishim sot, me inflacionin që ka Shqipëria, me diferencën me vendet e Europës. Nuk është kjo mënyra për t’i rritur një muaj para zgjedhjeve, pa plan pa buxhet. Të shkon mendja që është puro propagandë”.
Sa i takon situatës në kampin blu, Shehi thotë se opozita është bashkë, dhe e bashkon kandidati i vetëm në thuajse 90 për qind të bashkive. Megjithatë ai vë në dukje se brenda opozitës duhet të ketë pluralitet, pasi nuk kanë përse të hyjnë të gjithë brenda të njëjtit “stan”.
Unë them që opozita ia ka dalë në shumicën e rasteve. Të gjithë bashkë jemi e para e punës. Faktori i dytë që na bashkon është kandidati i vetëm. Pothuaj në 90 për qind të bashkive kemi një kandidat të vetëm dhe kjo është shenjë e mirë. Ka kohë që të gjenden edhe kompromise gjatë rrugës. Po mbërritëm te kandidati i vetëm dhe të gjithë kundër qeverisë së PS, kjo është opozita. Opozita është plurale, mendojmë në mënyrë të ndryshme nga njëri-tjetri dhe nuk kemi përse të hyjmë të gjithë në të njëjtin stan. Opozita është goxha mirë. Të gjithë jemi bashkë kundër Edi Ramës dhe të gjithë po shkojmë të maksimalizojmë shanset që një kandidat i vetëm të jetë fitimitari. Jam tërhequr sepse sondazhet më tregonin poshtë z.Këlliçi. Po të isha sipër duhet të vazhdoja unë dhe të ikte z.Këlliçi, nëse do kishte këtë urtësi që kam unë. E quaj normale këtë punë në politikë. Do respektojmë njëri-tjetrin, do respektojmë idetë e njëri-tjetrin. Kam bindjen se në zgjedhje 50 për qind e votës do të jetë e opozitës.
Unë them që çdo njeri që garon, qoftë për Tiranën, Gramshin apo Burrelin, është një kontribut në demokraci. Bëjnë gabim që përdorin gjuhën, ‘je tradhtar’, ‘je i Edi Ramës’. Do uroja të gjendej një rrugë kompromisi për efekte pragmatiste. Nuk po them që Bejko është djalë i keq, është alamet djali, e quaj të gabuar që kolegët opozitarë e sulmojnë sepse kjo gjuhë s’vlen më në vitin 2023. Por mendoj ka shanse që deri ditën e zgjedhjeve të zgjerohet një lloj kooperimi të paktën në nivel të kandidatëve në bashki”.
Ndërsa iu kërkua një koment mbi tërheqjen e kandidatëve të Alibeajt nga gara, Shehi tha:
As i njoh me emra, as e di kush është vënë e kush ka ikur. Është një proces normal meqë janë bërë dy grupe dhe për mua kanë gabuar të dy. Këto të tjerët bëjnë gabim që sulmojnë më egërisht grupin tjetër se sa Ramës. Edhe ky grupi i Alibeajt kërkon të heq me gjyq përfaqësimin e grupit tjetër që është më i madh, nga zgjedhjet. Edhe kjo nuk është politikë normale. Për çfarë duhet gjyqi dy ditë para fushatës?! Do heqin nga gara kolegët e vet?! S’ka logjikë politike.
Besoj se 20, 20 e ca bashki do të jenë për opozitën. Por kam shpresë te vota popullore, se ajo e jep projeksionin për zgjedhjet që do të vijnë. Nëse populli ka votuar 50 me 50 tregon se populli opozitar është në këmbë dhe është i gatshëm ta sfidojë qeverinë. Jam i bindur që qytetet e mëdha të Shqipërisë do të japin një sinjal shumë pozitiv”.



