
Pesë të burgosur u vranë gjatë një rebelimi gati 24 orësh në një burg të sigurisë së lartë në veri të Brazilit, thanë autoritetet të enjten. Trazirat e burgut në Hio Branco, kryeqyteti i shtetit Acre, zgjatën nga mëngjesi i së mërkurës deri paraditen e djeshme, kur të burgosurit u dorëzuan pas disa orësh negociatash, thanë autoritetet shtetërore. Gjatë trazirave, pesë të burgosur u vranë, një polic u plagos nga një plumb, si dhe dy të burgosur të tjerë. Të burgosurit u rebeluan pasi 13 prej tyre u përpoqën të arratiseshin nga burgu Antonio Amaros, por u ndaluan nga rojet, sipas një deklarate të qeverisë. Të burgosurit morën peng një roje dhe një të burgosur të caktuar në detyra pastrimi. Të burgosurit ishin të armatosur rëndë, ndërsa policia vazhdoi me konfiskimin e pesëmbëdhjetë armëve të kalibrave të ndryshëm pas dorëzimit të tyre, thuhet në deklaratë. Rreth 200 oficerë policie, duke përfshirë anëtarë të forcave speciale dhe përforcime të dërguara nga qeveria federale, u përfshinë në operacionin për të rivendosur kontrollin e burgut.



