Policia e Vlorës ka shoqëruar rreth 15 persona lidhur me vrasjen e 40-vjeçarit Gentian Qarri. Sipas burimeve nga Policia e Vlorës, mësohet se personat që janë marrë në pyetje kanë qenë familjarë, të afërm dhe dëshmitarët që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes.
Këta të fundit, kanë treguar se momentin kur ka ndodhur ngjarja kanë parë një automjet që vinte drejt viktimës, brenda të cilës ishin dy persona. Sapo kanë parë viktimën, kanë ecur me shpejtësi në drejtim të tij dhe e kanë goditur me breshëri nga automjeti.
Dëshmitarët nuk kanë mundur t’i njohin, pasi autorët kanë qenë të kamufluar dhe janë zhvendosur me shpejtësi drejt pyllit të Sodës ku edhe kanë djegur makinën. Mjeti ishte me targa greke, ndërsa ka rezultuar i vjedhur në Greqi. Arma dyshohet se është model 54, ku në total mban 30 fishekë. Dyshohet se mbi viktimën është derdhur një karikator i plotë.

(Në foto, viktima Gentian Qarri)
Një pjesë e gëzhojave janë gjetur në vendngjarje, disa në automjetet e parkuara pranë, si dhe në trupin e viktimës. 40-vjeçari ka marrë plumba në kraharor dhe këmbë. Për personat që e njihnin, ai nuk ka pasur konflikte në Shqipëri dhe njihej si person i qetë e pa probleme teksa pista kryesore mbetet dënimi i tij në Itali. Dyshohet se autorët e kanë ditur rutinën e përditshme të tij dhe kanë pritur sa ka dalë nga shtëpia e më pas e kanë ekzekutuar.



