
Humbja e dëgjimit nuk ndikon vetëm në cilësinë e jetës së përditshme. Në terma afatgjatë, rënia e aftësisë për të dëgjuar rrezikon edhe shëndetin mendor. Kurimi i problemeve të dëgjimit bëhet i domosdoshëm dhe kjo është arsyeja pse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka caktuar edhe një ditë të veçantë si Dita e Dëgjimit, e cila shoqërohet me aktivitetete ndërgjegjësuese 3 marsin e çdo viti.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 360 milionë njerëz në botë bashkëjetojnë me problemet e dëgjimit. Ky numër është i destinuar të rritet në 30 vitet e ardhshme. Në SHBA, më shumë se gjysma e 70-vjeçarëve dhe rreth 80% e 80-vjeçarëve kanë humbje të dëgjimit në nivelin i moderuar deri në shurdhëri.
Së fundmi, dy studime të prezantuara në konferencën ndërkombëtare të Alzajmerit në Londër dolën në përfundimin se ka një lidhje mes rënies së aftësisë për të dëgjuar dhe aftësisë njohëse. Kjo do të thotë se një person që ka filluar të humbasë dëgjimin, e ka të vështirë të elaborojë informacionet e reja, mendon në mënyrë më pak fleksibël dhe është më i rrezikuar nga sëmundjet e rënda si Alzajmeri apo demenca. Në bazë të njërit studim, i kryer nga universiteti “John Hopkings”, problemet e dëgjimit rrisin me 50% rrezikun e demencës dhe me 40% rrezikun e depresionit. Simptomat e para të këtyre sëmundjeve mund të nisin të shfaqen 5 vite pasi janë shfaqur problemet e para të dëgjimit.



