Millan Radoiçiç ka pranuar pjesëmarrjen në Banjksë gjatë sulmit ndaj Policisë së Kosovës.
Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të cilën e ka lexuar avokati i tij Goran Petronijeviç, në një konferencë të mbajtur të premten në Beograd.
"E informoj publikun e gjerë se së bashku me bashkëkombësit e mi nga veriu i Kosovës, më 24 shtator 2023-s, kam ardhur në veri të Kosovës, në fshatin Banjskë. Arsyeja e kthimit tonë ishte që ta trimërojmë popullin serb nga ky rajon, në ofrimin e rezistencës ndaj terrorit të regjimit të Kurtit, mbrojtjes së popullit tonë që këtij terrori i është nënshtruar për çdo ditë dhe për krijimin e kushteve për përmbushjen e ëndrrës së çlirimit të popullit tim në veri të Kosovës”, ka thënë Petronijeviç.
Radoiçiç ka shfajësuar autoritetet në Beograd dhe Presidentin Vuçiç, të cilët akuzohen se mbështetën sulmin e armatosur.
"Për këtë nuk e kam informuar askënd, as nga strukturat qeverisëse të Qeverisë së Serbisë e as nga strukturat lokale të veriut të Kosovës, e as që prej tyre e kam pasur ndonjëfarë ndihme, ngase kemi pasur qëndrime të ndryshme për sa u përket metodave të deritanishme të rezistencës ndaj terrorit të Kurtit", shton ai.



