Lëvizja Nisma do të kandidojë si alternativë politike në zgjedhjet e 25 prillit. Në studion e TvT, pedagogu Rezart Prifti, një nga aktivistët e kësaj lëvizjeje, tha se ajo është bashkim i disa vektorëve, që përfaqësojnë një bosht vlerash dhe sjellin në politikë një frymë të re.
“Është bashkim i disa vektorëve. Ideova alternativën, një lëvizje me orientim djathtas. Ideja është bashkimi i të gjithë vektorëve. Është luftë me çështje brezash. Ne si shoqëri kemi humbur integritetin, ideja ime ishte të hyjmë në luftë me këtë sistem që ka brenda edhe ligjin edhe Maliqin. Do të kthehet në parti. Kundrejt mendimeve primitive, e vetmja mënyrë për të luftuar është të organizohesh si formacion politik. Për disa arsye. Ne përfaqësojmë një bosht vlerash. Grupimi përbëhet nga njerëz që janë të bërë vetë. E di çfarë është të marrësh shkollën pa mik, të futesh në punë pa mik dhe të bësh biznes pa mik. Nëse kupton çfarë është meritokracia, nuk do të ishim në këtë xhungël ku jemi sot. Kjo është luftë kulturore. Është lufta më e keqe e mundshme. Lufta kulturore do kohë. Një mik i imi thoshte që Shqipëria do të shpëtojë kur dikush t’u thyejë shqiptarëve llambën e komunizmit që kanë në kokë”, tha ai.
Prifti tha më tej se lëvizja synon të krijojë një kulturë të re politike. Ai përjashtoi afrimin në këtë lëvizje të çdo figure të konsumuar të politikë, por edhe aleancën me opozitën.
“Unë jam i djathtë. Nuk mund të mohoj asgjë të tillë. Në grupim kemi njerëz me orientim të majtë të qendrës, etij. Lufta jonë është ajo me establishmentin, e bëri Europa dhe Amerika. Më pas është tregu ai që vendos çfarë ndodh me secilin prej nesh. Kjo është gjë shumë e mirë. Ne synojmë të vëmë një gur historik për Shqipërinë. Unë nuk u kërkoj besim shqiptarëve, u kërkon vlerësim, të më vënë në provë. Besimin duhet ta fitosh. Nuk u kërkoj shqiptarëve të më besojnë, por të vënë 2 pare mend që kanë në kokë dhe të vënë në provë njerëzit. Do të ketë koalicion zero me opozitën pas zgjedhjeve. Unë kam tre ide: ekonomi, arsim dhe zhvillimin e pronës. Nuk do të ketë të vjetër. Kemi pasur kërkesa dhe lobime. Kjo është lëvizje e gjeneratës së re të paprovuar. Ne kemi zgjedhur një mënyrë që mendojmë ta quajmë inovative. Ne do të shkojmë në zgjedhje si organizatë inovative. Dhe ai që del i pari të jetë i pari dhe me mandat 1-vjeçar. Ta vendosë tregu”, tha ai.
Prifti tha se nuk është angazhuar asnjëherë politikisht me PD-në, por mbetet i djathtë.
“Nuk kam qenë pjesë e strukturave. Jam ftuar për të folur në Këshillin Kombëtar. Unë jam më i djathtë se ç’është PD-ja tani”, përfundoi Prifti.



