
Një dokumentar i guximshëm mbi rastet e pedofilisë në Kishën Polake, e cila mbështet qeverinë, e ka bërë të dridhet edhe këtë të fundit. Shumica në pushtet në Poloni, vendi më i madh i Europës Lindore anëtar i BE-së dhe NATO-s, është tronditur nga "Mos i trego njeriu", dokumentari i xhiruar dhe postuar në platformën “Youtube” nga vëllezërit Tomasz dhe Marek Sekielski. Janë diku 18-20 milionë shikuesit që e kanë parë, ndërsa i gjithë vendi numëron 38 milionë banorë.
Polonia qeveriset nga PiS (Prawo i Sprawiedlywosc), parti sovraniste që drejtohet nga lideri i saj historik, Jaroslaw Kaczynski. Dokumentari për abuzimet e kishës pati efekt të menjëhershëm në sondazhe, në një kohë kur mbetet vetëm një javë nga zgjedhjet europiane.
Koalicja Europejska (Koalicioni Europian), një aleancë e frymëzuar nga Donald Tusk, ish-kryeministri polak dhe njëkohësisht president i Këshillit të Europës, ka fituar një avantazh prej 10 pikësh, nga një barazia “kokë më kokë” që kishte deri dje me rivalët e PiS.
Praktikisht, Koalicioni Europian (Koalicja Europejska) në sondazhe ka 43% të mbështetjes. Kësaj shifre mund t’i shtohen edhe ato të mbështetjes së Wjosnia, Primavera, partia e re e majtë, antikler dhe e themeluar nga lideri i ri gei dhe proeuropian, Robert Bideron, ish-kryebashkiak i Slupsk-ut. Në fund renditet PiS e Kaczynskit me 32.9%.
Ajo që e bën akoma më interesante panoramën është fakti se Polonia mban në tetor zgjedhjet legjislative. PiS është e shqetësuar se mund të humbasë edhe pushtetin përballë vitalitetit të shoqërisë civile urbane të Polonisë.
Stanilsaw Mocek i Akademisë së Shkencave në Poloni e komenton këtë si “lëkundje në aleancën mes fronit dhe altarit, ku me fron duhet kuptuar pushteti politik”, ndërsa teologu Stanislaw Obirek thotë se “paniku është shtrirë kudo njësoj, si te kisha edhe te PiS”. Kjo e fundi ka reaguar menjëherë duke njoftuar dënime më të rënda për pedofilinë, por një vendim i tillë mund të mos vijë në kohë për ta shpëtuar nga gërryerja e menjëhershme e elektoratit dhe një tjetër problem më i madh në zgjedhjet e tetorit.
Vizita e paralajmëruar e të ngarkuarit të Selisë së Shënjtë për luftën kundër abuzimeve seksuale, Charles Scicluna, shihet si prologu i një spastrimi të paprecedentë në kishën polake, për shkak të akuzave dhe dëshmive për pedofili. Lech Walesa, babai i kombit, lideri historik i revolucionit paqësor të vitit 1989 që instaloi demokracinë dhe inicioi rënien e Murit të Berlinit, në emër të besimit katolik dhe miqësisë së gjatë me Papa Gjon Palin II (Karol Wojtyla, i cili e pati këshilluar gjatë viteve të revolucionit, por ka qenë konservator në krye të Selisë së Shenjtë) i ka bërë thirrje kishës të reflektojë thellë në lidhje me këtë rast. Shumë eksponentë të Kishës Katolike polake nuk janë treguar miqësorë ndaj Papa Françeskut dhe shpesh i kanë censuruar predikimet dhe fjalimet e tij. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



