
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të martën se kishte folur në telefon me princin e kurorës të Arabisë Saudite, i cili, sipas tij, mohoi tërësisht se ka patur dijeni për atë që ka ndodhur në konsullatën saudite në Stamboll.
Komentet vijnë pas bisedimeve që Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo pati në Riad me mbretin Salman dhe princin e kurorës Mohammed bin Salman lidhur me zhdukjen e gazetarit Jamal Khashoggi, i cili dy javë më parë hyri në konsullatën sadite në Stamboll dhe nuk u pa të dilte prej andej.
Presidenti Trump tha se gjatë telefonatës, princi i cili ishte me Sekretarin e shtetit Pompeo, e kishte njoftuar se kishte nisur një hetim të plotë rreth çështjes Khashoggi, hetim që do të zgjerohej shpejt.
"Përgjigjet do të vijnë së shpejti", shkruante Trump në "Twitter".
Ndërsa uleshin për takimin e tyre të parë, princi i kurorës i tha në anglisht zotit Pompeo: "Ne jemi aleatë të fortë dhe të vjetër. Ne përballemi me sfidat tona së bashku, dje, sot dhe në të ardhmen".
"Absolutisht", u përgjigj sekretari Pompeo.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha se zoti Pompeo u takua gjithashtu me Ministrin e Jashtëm saudit Adel al-Jubeir.
Vizita e zotit Pompeo në Rijad erdhi disa orë pasi ekspertët turq përfunduan kqyrjen e konsullatës saudite në Stamboll.
Pas bisedimeve me Mbretin Salman, Departamenti i Shtetit tha se zoti Pompeo "falënderoi mbretin për angazhimin e tij për të mbështetur një hetim të plotë, transparent dhe të shpejtë rreth zhdukjes së Khashoggit".



