Xhadat/ Projekti i qeverisë 3.3 miliardë lekë i fut ujin në shtëpi familjes në Shkodër

Xhadat/ Projekti i qeverisë 3.3 miliardë lekë i fut ujin në shtëpi familjes në Shkodër

Një projekt i financuar nga qeveria shqiptare dhe i zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me përfitues Bashkinë Shkodër, ka ngritur shqetësimin e një familjeje që jeton në zonën e Pazarit të Vjetër.

 

Erida Saraçi iu drejtua emisionit “Xhadat”, duke pretenduar se ndërhyrjet e kryera në kuadër të projektit kanë ndryshuar nivelin e rrugës përpara banesës së saj, duke e lënë shtëpinë më poshtë se aksi i ri i rrugës.

 

Sipas saj, pas punimeve, gjatë reshjeve të shiut uji depërton në banesë, ndërsa lagështira është e dukshme në muret e katit të parë dhe të dytë.

 

Problemet, sipas denoncueses, nuk lidhen vetëm me rrugën.

 

Ajo pretendon se në banesë është ndërtuar edhe një çati e re, ndërkohë që muret ekzistuese të shtëpisë janë të vjetra. Erida shprehet se ka ngritur shqetësimin e saj gjatë punimeve, si pranë ndërtuesve dhe Bashkisë Shkodër, ndërsa thotë se për situatën i është drejtuar me shkresë edhe kryeministrit Edi Rama.

 

Kamerate “Xhadat” shoqëruan Erida Saraçin në rrugën përpara banesës, ku krahasohet niveli i rrugës së mëparshme me ndërhyrjen e realizuar përmes projektit.

 

Sipas saj, pikërisht ndryshimi i kuotës së rrugës ka bërë që uji i shiut të drejtohet drejt banesës.

 

Brenda shtëpisë, pamjet tregojnë mure me lagështirë dhe pjesë të dëmtuara. Denoncuesja tregon edhe plasaritje në mure, ndërsa shpjegon se sa herë bie shi detyrohet të qëndrojë brenda duke mbledhur ujin me lecka.

 

Në pamjet e siguruara nga familja shfaqen gjithashtu pllaka dhe mure të lagura gjatë reshjeve.

 

Probleme janë konstatuar, sipas saj, edhe në çatinë e re. Në pamjet e dërguara në redaksinë e “Xhadat” shihen pika uji që depërtojnë nga çatia, ndërsa dërrasat dhe elementët prej druri paraqiten të lagur.

 

Banesën e familjes, nga jashtë, e dallon një fasadë e rikonstruktuar. Por Erida Saraçi thotë se pamja e jashtme nuk pasqyron situatën brenda banesës.

 

Ajo pretendon se ndërhyrja është bërë pa zgjidhur problemet që, sipas saj, lidhen me nivelin e rrugës dhe strukturën e banesës.

 

Për shqetësimin e saj lidhur me çatinë, ajo ngre edhe një tjetër pikëpyetje, që muret e banesëse nuk janë në gjendje të përballojnë peshën e çatisë së re.

 

Në tabelën informuese të projektit, përcaktohen institucionet përgjegjëse dhe financimi i projektit:

 

Financues: Qeveria Shqiptare

Zhvillues: Fondi Shqiptar i Zhvillimit

Përfitues: Bashkia Shkodër

Vlera: 328 milionë lekë të reja, ose rreth 3.3 miliardë lekë të vjetra.

 

Por për familjen Saraçi, një ndërhyrje publike e kësaj vlere nuk duhet të përfundojë duke krijuar probleme të reja për banesën e saj.

 

Për të marrë një përgjigje institucionale, Erida Saraçi dhe gazetari Ersid Karaj iu drejtuan Bashkisë Shkodër, ku takuan nënkryetarin Alban Preka.

 

Fillimisht, Preka kërkoi që shqetësimi të formalizohej përmes një kërkese për informacion.

 

Më pas ai deklaroi se situata do të verifikohej në terren dhe se do të ngrihej një grup pune për të parë nga afër problematikën e banesës.

 

Gjatë bisedës, nënkryetari premtoi gjithashtu se do të vendosej dera kryesore e banesës. Por kur gazetari e pyeti nëse vendosja e derës do të garantonte që uji i shiut të mos hynte më në banesë, Preka u përgjigj se për këtë nuk mund të jepte një garanci, pasi nuk ishte personi kompetent.

 

Tashmë mbetet për t'u parë nëse grupi i punës do të ngrihet dhe nëse Bashkia Shkodër do të verifikojë teknikisht situatën e banesës.

 

Familja kërkon një zgjidhje për problemet e lagështirës, nivelin e rrugës dhe shqetësimet që ka ngritur për çatinë dhe strukturën e banesës.

 

Emisioni i plotë:

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy