
Artur Roshi, kryetar i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, aleat i PD-së, nuk pozicionohet në raport me zhvillimet e brendshme në PD. I ftuar në studion e lajmeve të MCN TV, Roshi tha se duhet parë përtej dy emrave që janë future në “luftë” për kreun e PD-së, duke zgjedhur aleancën me Shtetet e Bashkuara.
Nuk është vendim i një vendi të Ballkanit. Është vendim i SHBA, një vend referencë për demokracinë në botë dhe kombet që duan të zhvillohen. Nuk i ndaj gabimet e Berishës nga ato të Bashës. Vendimmarrja ka qenë e përbashkët.
Roshi tha se përgjatë tetë viteve të PD-së në opozitë, edhe Berisha ka qenë pjesë e vendimeve.
Po Berisha që ishte ortak, pse nuk e ka ndihmuar për të dhënë. Pjesëtar i humbjeve është edhe zoti Berisha. Dua të jem asnjanës. Unë bashkëpunoj me institucionin e PD. Kur vjen puna për të dhënë opinione si qytetar, them dakord e mori Berisha. Por nëse ai humbet sërish, çfarë bëhet. Sepse duhet menduar për të ardhmen e fëmijëve. Duhet të matemi mirë këtu.
Sa i takon kreut aktual të PD-së, Roshi tha se zhvillimet e fundit e kanë çuar në nivelin e liderit që do të duhej të ishte.
Ka një pikëpyetje. Disa qëndrime që ka mbajtur, na ka befasuar. Edhe artikulimi i tij me publikun ka ndryshuar. Nuk është më i dyzuar, ka më shumë grintë. Kjo që i ka munguar i ka ardhur.
Dikur aleat edhe i Berishës, Roshi tha se mes tij dhe SHBA-ve duhet zgjedhur e dyta.
Nëse ka një njeri që nuk ka abuzuar, është zoti Berisha. Ka pasur autoritet për shkak të të qenit i drejtë, i pavarur, jo abuzues. Por SHBA janë përcaktues për zhvillimin e kombeve. Nëse e duam këtë, mund të pranojmë cenimin e dinjitetit të një lideri. Çfarë do të sjellë më Berisha? Këta dalin si partizanët. Nuk ka mendim të lirë. Përderisa SHBA zgjodhën Bashën, nuk bëhet pa të.



