Mahmoud është 9 vjeç, një fëmijë nga qyteti i Gazës i cili humbi të dy krahët në një bombardim izraelit. Fotografija e tij, i mbështetur pas një muri, i ulur me këmbët e kryqëzuara, ndërsa një teh drite i ndriçon fytyrën dhe bustin e gjymtuar, fitoi edicionin e vitit 2025 të World Press Photo.
Imazhi i shpallur si fotografia e vitit është shkrepur nga fotografi palestinez Samar Abu Elouf për New York Times në Doha ku Mahmoud Ajjour u evakuua pasi u plagos rëndë.
Një nga gjërat më të vështira që ma shpjegoi nëna e Mahmoud ishte se kur Mahmoud e kuptoi për herë të parë se krahët e tij ishin prerë, gjëja e parë që ai i tha asaj ishte: Si do të të përqafoj?
“Kjo është një foto e heshtur që flet me zë të lartë. Ajo tregon historinë e një djali, por edhe të një lufte më të madhe që do të ketë ndikim për brezat,” tha Drejtoresha Ekzekutive e World Press Photo, Joumana El Zein Khoury.

Juria vlerësoi “përbërjen e fortë dhe vëmendjen ndaj dritës” të fotografisë dhe temën e saj të mprehtë, veçanërisht pyetjet që ajo ngriti për të ardhmen e Mahmoud.
Sipas jurisë, fëmija po mëson të luajë me celularin, të shkruajë dhe të hapë dyert me këmbë.
“Ëndrra e Mahmoud është e thjeshtë, ai dëshiron të ketë proteza dhe të jetojë jetën e tij si çdo fëmijë tjetër”, thanë organizatorët e World Press Photo në një deklaratë.
Nga 59320 fotografi të realizuara nga 3778 fotoreporterë, u zgjodhën 42 poza fituese.



