
Ministria e Mbrojtjes informon se bazuar në të dhënat nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, në të gjithë territorin e vendit janë identifikuar 47 vatra zjarri.
Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 36 prej tyre, ndërsa 11 vatra vijojnë të mbeten aktive.
-Në Parkun Kombëtar të Prespës në Malin e Thatë, strukturat vendore kanë punuar pa ndërprerje për izolimin e vatrës së zjarrit. Zjarri vazhdon aktiv, për shkak të terrenit të vështirë.
-Në qarkun e Tropojës, janë aktive dy vatra zjarri: në zonat pyjore të fshatit Rajë dhe Geghysen si dhe në fshatin Çeren, ku vatra e zjarrit pranë Parkut Kombëtar të Alpeve është përhapur dhe terreni i thepisur vështirëson ndërhyrjen.
-Në fshatin Kus, të njësisë administrative Bërzhitë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në Malin Lugë. Vatra është e izoluar dhe nuk paraqet rrezik për përhapje.
-Në fshatin Tërnovë në bashkinë e Bulqizës, vatra e zjarrit vijon të jetë aktive pavarësisht përpjekjeve të shumta nga forcat në terren për ta vënë nën kontroll.
-Në fshatin Selixë të bashkisë së Matit zjarri është aktiv në dy vatra. Për shkak të erës së fortë, izolimi ende nuk është arritur.
-Në fshatin Skuraj, në bashkinë e Kurbinit, nuk ka zjarr të hapur, por tymi vijon si rezultat i djegies së humusit nën bimësi.
-Në vendin e quajtur Mali i Pusit, përballë fshatit Zhulat dhe mbi fshatin Sotirë, në bashkinë e Dropullit situata paraqitet e vështirë për shkak të terrenit, ku zjarri aktiv ka kaluar në kurorën me pisha. Forcat vendore janë në monitorim të situatës.
-Në fshatin Kostar, në bashkinë e Finiqit dhe në fshatin Mërtiraj të bashkisë Selenicë, zjarri vijon të mbetet aktiv por nuk paraqet rrezik për banesat. Po punohet intensivisht për shuarjen e tij.



