
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani nisi sot nga Kosova turin 3-ditor rajonal: Kosovë- Maqedoni i Veriut – Mal i Zi.
Hasani u prit fillimisht nga homologia e Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz, me të cilën ndau përshtypjen për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Jam i lumtur që kjo vizitë vjen në një moment kaq të rëndësishëm e pozitiv për Kosovën e cila ka marrë tashmë, më në fund, liberalizimin e vizave, duke zgjeruar mundësitë dhe të drejtat e qytetarëve te saj. Ky është një vendim pozitiv jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për vetë Bashkimin Europian, një nxitje më tej në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt BE-së.
Ministri Hasani theksoi se rajoni ndodhet në një moment delikat, pavarësisht progresit së realizuar gjatë viteve të shkuara.
Jemi të gjithë dëshmitarë të faktit që pavarësisht progresit që është bërë, siguria dhe stabiliteti janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit.
Ne, kemi dënuar ashpër sulmin e dhunshëm të orkestruar e të armatosur kundër policisë së Republikës së Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar në veri të vendit. Ky sulm është një akt kriminal dhe i rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë, ligjit dhe rendit të Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit tonë, me pasoja të drejtpërdrejta për Evropën tonë të përbashkët.
Hasani vuri në dukje se autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë së shpejti.
Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, me pasoja ndoshta të pakthyeshme.
Prandaj tani më shumë se kurrë është e nevojshme që të gjithë ato vende e ato forca që besojnë tek paqja e stabiliteti, tek bashkëpunimi e integrimi euroatlantik, të punojnë së bashku për të ardhmen e rajonit tonë dhe të mirën e qytetarëve tanë.
Shqiptarët duhet të luajnë një rol të dorës së parë në këtë përpjekje për të ardhmen tonë të përbashkët. E padyshim, Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë në zemër të kësaj përpjekje si dy vende e një popull, që më shumë se kushdo tjetër, e mbështesin perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, tutje shtoi se Kosova e ka aleat të përjetshëm Shqipërinë, derisa pati edhe një mesazh për Serbinë dhe kërcënimet e saja përmes dërgimit të ushtrisë pranë kufirit me Kosovën.
Kosova ka një aleat të përjetshëm dhe të padiskutueshëm që është Shqipëria. Në të mirë dhe në të keq Shqipëria do të jetë këtu pranë Prishtinës dhe pranë shqiptarëve të Kosovës. Ne i ndjekim me vëmendje zhvillimet në rajon dhe në kufi të Republikës së Kosovës. I bëjmë thirrje të gjithë akterëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin 21, se nuk i qohen ushtri më të kufiri fqinjëve dhe askush nuk duhet të vazhdoj më këtë lojë që është qesharake. Të gjithë e kemi të qartë se garancia më e madhe për integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës është NATO ku edhe Shqipëria është pjesë.
Kryediplomati shqiptar u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga prioritetet e kryesisë shqiptare të Kartës SHBA-Adriatike, ndërsa ka shtuar se integrimi rajonal në BE është mënyra e vetme për të garantuar paqen e stabilitetin e Ballkanin Perëndimor.
Një ditë më pas Hasani do të pritet në Shkup, nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, kryeministri Dimitar Kovachevski, dhe zëvendëskryeministrat Artan Grubi dhe Bojan Marichic.
Ai atje do të zhvillojë takime edhe me liderët e partive politike shqiptare.
Në Mal të Zi, ditën e enjte, ministri Hasani do të takohet në Podgoricë me homologun Filip Ivanoviċ, presidentin Jakov Milatoviç, zëvendëskryeministrin, Nik Gjeloshaj dhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve dhe Kryetarët e partive politike shqiptare të Malit të Zi.
Turi synon të bëjë më përmbajtjesor, thellojë dhe konkretizojë më tej bashkëpunimin mes vendeve, si edhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të mira fqinjësore.



