
Analisti Lorenc Vangjeli në studion e MCN Live ka komentuar ngjarjet e ndodhura këto ditë në vendin tonë ku në shënjestër të tyre kanë qenë femrat.
Ai u ndal tek arrestimi i një nëne lehon të cilën e ndanë nga foshnja e saj 8 ditëshe vetëm se nuk mundi të paguante një gjobë dhe vrasja e banakieres në Don Bosko gjatë orarit të punës. Sipas tij të dyja këto ngjarje të rënda i lidh standardi, sepse pasoja mbetet tek krimi i të qenarit i varfër.
Krimi më i madh në Shqipëri është të jesh i varfër. Dje shiko çfarë ka ndodhur, kam reaguar që në momentin e parë që mësova lajmin dhe nuk di të them se ka pasur ndonjë ngjarje më të rëndë të ndodhur. Historia është shumë e thjeshtë një qytetare shqiptare e varfër, sipas standardit tonë dhe fajtore sepse është e varfër ndëshkohet për me 2 mijë euro gjobë duke e pasur të pamundur ti paguajë një gjykatës merr vendimin që gjobën ta konvertojë me burg. Nëse thua 2 mijë euro është një shifër relative, për të është një vit bukë, ndërsa për një politikanë një shishe verë në tavolinë.
Policia zbaton urdhrin e gjykatës dhe arrestohet gruaja duke e ndarë nga foshnja 8 ditëshe që ushqehej me gji. S’mund të arrestohet një grua lehon nëse ka një fëmijë nën 1 vjeç. Është dramatike. Dëgjova në parlament sherrin dhe megjithatë detajet që u fol atje sërish u tentua të thuhej se një palë është fajtore dhe një tjetër jo dhe kjo mbulohet me jorganin e pështirë të kësaj palo politike. Më pak se një javë më parë një tjetër grua mbetet viktimë e një breshërie armësh, vritet në vendin punës në sy të vogëlushes 10 vjeçare që dhe ajo plagoset.
Vrasjet e grave po kthehet në një fenomen në rritje, ndërsa gjashmëria e këtyre dy historive është standardi. Të kesh para ke trajtim tjetër je i zoti, i suksesshëm pavarësisht se si i ke siguruar ato, ndërsa vetë shënjestra e atentatit lirohet nga qelia sepse nuk është ai i varfëri dhe i mjeri, i cili ka mundësi të depërtojë në të çarat e sistemit. Edhe në këtë rast formalisht ligji është zbatuar në mënyrë korrekte, por ligji ka dhe frymë, prandaj po them se krimi më i madh është të jesh i varfër.



