Qeveria greke vijon të lobojë kundër Shqipërisë në BE duke bllokuar miratimin e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me argumentin se nuk respekton të drejtën europiane duke mos lejuar betimin e Fredi Belerit.
Në studion e lajmeve të MCN TV, Paskal Milo, ish-ministër i Jashtëm, tha se kompromisi mbetet e vetmja rrugë për zgjidhjen e ngërçit. Ai tha se negociatat në prapaskenë vijojnë, por Greqia nuk ka gjasa të pranojë një zgjidhje që përjashton emrin e Belerit.
Duke u nisur nga deklaratat zyrtare që kanë bërë përfaqësuesit e shtetit grek, këtu kemi të bëjmë me një tension që ka krijuar një situatë konstante në marrëdhëniet mes dy vendeve. Nuk ka progres, nuk duket të ketë. Çështja Beleri është kthyer nga pala greke në një çështje parimore në kundërshtim me ligjin, me të drejtën ndërkombëtare, me të drejtën europiane dhe ajo e transmeton këtë ndjesi dhe pengon. Çështja është në një dilemë që nuk ka zgjidhje tjetër përveçse një kompromisi që duhet të vijë sa më shpejt të jetë e mundur. Çështja Beleri është shumë e vogël për të mbajtur peng marrëdhëniet e dy vendeve. Ka negociata në lidhje me këtë, ka përpjekje për zgjidhje, por cila është ajo është e vështirë të perceptohet. Nëse ajo kërkohet jashtë emrit Beleri, do të jetë e vështirë që Greqia ta pranojë. Ka një version për një emër të pranuar nga të dy palët që do të bëhet kryetar bashkie derisa të shkohet në zgjedhje sërish. Greqia ka edhe një egoizëm nacional, ka një perceptim që nëse Beleri nuk merr drejtimin e bashkisë së Himarës, kjo është sfidë për Greqinë. Nuk duhej të arrihej deri aty sa kjo çështje të bëhej mollë sherri. Ka pasur edhe raste të tjera si ai i Vasil Bollanos, por nuk ndodhi gjë në Himarë. Himara mbeti aty, nuk lëvizi nga vendi.
Milo komentoi edhe vizitën e ministrit të Jashtëm, Igli Hasani, në vendet fqinje. Ai theksoi se dy qeveritë shqiptare, ajo e Tiranës dhe e Prishtinës, duhet të kapërcejnë mosmarrëveshjet.
Mendoj se ky tur duhet të ketë pasur edhe një qasje për zhvillimet politike në rajon.
Do të ishte e mirëpritur që të dy palët të bëjnë përpjekje për të lënë pas ndonjë hije që është krijuar në marrëdhëniet dypalëshe, për çështje si ajo e asociacionit. Është koha që këto të kapërcehen. Besoj se të dyja qeveritë janë duke ecur në këtë rrugë për t’i kapërcyer këto ngërçe.
Interesat e dy shteteve janë shumë herë më të mëdha se dy mosmarrëveshje që mund të kenë dy kryeministra. Ndërkohë që mund të ketë qasje të ndryshme për çështje të caktuara, vija e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit mes dy shteteve shqiptare në rajon duhet të kapërcejë çdo mosmarrëveshje.
Ndërsa në lidhje me rajonin në përgjithësi, Milo tha se duhet të vijojë të kërkojë bashkëpunimin mes vendeve dhe atë me partnerët perëndimor.
Është në dorën e vendeve të Ballkanit Perëndimor të jenë vigjilentë në raport me palë të treta, por duhet të forcojnë bashkëpunimin jo vetëm rajonal, por edhe atë me faktorë të tjerë si partneri strategjik, SHBA.
Serbia është duke u futur në një lojë të rrezikshme. Është në kontradiktë të hapur me BE, sepse faktorë si Rusia dhe Kina kanë synuar ta mbajnë në anën e tyre.



