Mbrëmjen e djeshme Rusia ka ndërmarrë një sulm masiv në Ukrainë, me 14 raketa duke përfshirë dy "Kinzhal" hipersonike dhe 31 dronë.
Lajmi u bë i ditur nëpërmjet një njoftimi në Telegram nga Forcat Ajrore të Kievit, sipas të cilave forcat e mbrojtjes ukrainase rrëzuan 12 raketa X-101/X-555 dhe të 31 dronët kamikaz Shahed-131/136.

Presidenti Volodymyr Zelensky me anë të një postimi ka reaguar duke thënë se e dënon sulmin "qartësisht civil".
“Vetëm të çmendurit si Putin janë në gjendje të vrasin dhe terrorizojnë njerëzit në një mënyrë kaq të neveritshme,” ka thënë Zelensky.
Ndërsa një tjetër sulm u regjistrua edhe në një hipermarket në Kharkiv gjatë kohës që ai ishte i mbushur me njerëz.
Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dy prej tyre punonjës, dhe dhjetëra të tjera janë plagosur.

Kryetari i bashkisë së Kharkiv, Ihor Terekhov tha se rreth 120 njerëz kishin qenë në dyqanin e pajisjeve kur goditën bombat.
"Sulmi kishte në shënjestër qendrën tregtare, ku kishte shumë njerëz dhe ky është padyshim terrorizëm", tha Terekhov.
Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, është vetëm 30 km (18 milje) nga kufiri rus dhe ka qenë objektiv i sulmeve ruse për javë të tëra.



