Ditën e sotme qytetarët e Rrogozhinës do të rivotojnë për zgjedhjen e kryebashkiakut. Gjithçka pasi Kolegji Zgjedhor shpalli të pavlefshme zgjedhjet e 14 majit, pasi kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha, kontestoi rezultatet e numërimit të burgut të Rrogozhinës, ku kutia e fundit i dha fitoren kandidatit socialist Edison Memolla. Mirëpo në rivotimet e sotme, të burgosurit nuk do të përfshihen në votime. Ditën e sotme Hoxha dhe Memolla përballen me njeri tjetrin për mandatin, i cili do ju mundësojë drejtimin e bashkisë Rrogozhinë. Zgjedhjet e sotme do të kenë vetëm një fletë votimi, atë për kryebashkiakun. Sakaq punonjësit e policisë Rrogozhinë të angazhuar për ruajtjen e objekteve zgjedhore, kanë dorëzuar në rregull qendrat e votimit. Policia deklaroi se punonjësit e policisë janë grumbulluar në Stacionin e Policisë Rrogozhinë dhe janë gatishmëri. Policia garanton qytetarët e Rrogozhinës së ka ndërmarrë të gjitha masat, që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit lokal, të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe pa intimiduar prej askujt.



