Po zhvillohet nga data 15 deri më 19 nëntor në Tiranë edicioni i 26-të i Panairit të Librit. Gazetarja Blerina Goce në një raportim nga Pallati i Kongreseve, në ditën e dytë të panairit, bën me dije se interesi i fëmijëve dhe të rinjve është i lartë.
Është edicioni i 26-të i këtij panairi. Marrin pjesë 95 botuese, 10 prej të cilave janë nga Kosova, por ka edhe nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Ka shumë autorë të ftuar, por edhe ngjarje, promovime librash, por edhe tryeza diskutimi. Ka shumë fëmijë, pasi vijnë edhe të organizuar nga shkollat. 30 për qind e shitjeve të botuesve ndodh gjatë panairit. Janë fëmijët dhe të rinjtë që vizitojnë në masë panairin”.
Drejtuesja e shtëpisë botuese “Media Print” Anila Bisha tregoi disa nga titujt e rinj.
Është diçka e gëzueshme që nga viti në vit Paniari ka vëmendje më të madhe. Ne kishim parashikuar shumë takime me fëmijët në stendën tonë. Sot u gjendëm në një situatë të vështirë, ku nuk përballonim dot dëshirën e fëmijëve për të treguar për librat. Ku ka më bukur se sa kjo gjë, sepse na tregon që po drejtohet vëmendja nga libri. Tradita që kemi krijuar, që nëse fëmijëve u ofrojmë dashurinë për leximin, dashurinë për ta qasur librin si moment kënaqësie, që ju ofron një botë imagjinare dhe të panjohur, që u pasuron fjalorin, i bën edhe më të mençur, u krijon mundësi të njohin histori dhe ngjarje të bukura, të njohin shkrimtarët. Kemi krijuar këtë hapësirë për të komunikuar me përkthyesit gjithashtu. I kemi dedikuar letërsisë bashkëkohore shumë tituj të rinj, përkthyesit tanë kanë sjellë në shqip tituj shumë të bukur. Adriana Koxhaj ka sjellë ‘Nikolasi Vogël’, që është bërë titull shumë i dashur për fëmijët. ‘Shtëpia me 36 çelësa’, ‘Peshkatari i fjalëve’ është një libër i ri që e ka sjellë Arta Marku, Erion Kristo ka përkthyer disa libra”.
Përkthyesja Eva Dyrnjaja foli mbi librin e nobelistit “Një Jetë në Shkencë” të autorit Richard Fynman, i cili sipas saj “do të mbahet mend si një mësues dhe profesor i jashtëzakonshëm, që ka ushqyer gjenerata të tëra fizikantësh me pasionin e tij për fizikën”.
Ndërsa një nga autorët e rinj, Egli Goce vuri në dukje se:
Vështirësia kryesore është që ti e fillon librin, por duhet ta bitisësh, ta përfundosh. Sa herë mendoja, edhe ta lija në mes, ose ta fshija fare, vetëm një lloj obsesioni më çoi në fund. Kam përshtypjen që politikat qeveritare mungojnë deri diku, trajtimi i librit si mall i zakonshëm, TVSH-ja, duhet të kishte politika të tjera. Duhet të nxitet më shumë leximi i librit. Kali e merr revanin sa është mëz. Një njeri që s’ka lexuar që fëmijë, mos prit të lexoj më”.



