Afro shtatë orë para fillimit të protestës së pasdites së sotme të opozitës, kryeministria është totalisht e bllokuar.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në vizitë zyrtare në Turqi, ndërkohë që masat për mbarëvajtjen e protestës janë tepër strikte.
Gazetari Andon Kello raporton për MCN Live, se dyert e kryeministrisë janë të blinduara brenda dhe jashtë dhe dritaret të mbyllura, ndërsa kryeministria sot është e kyçur nuk ka filluar punën.
Opozita ka nisur përgatitjet, me një skelë të vendosur për të mbajtur fjalimet. Protesta pritet të zgjasë 3 orë dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, është i bllokuar.
Opozita ka nisur prej ditësh përgatitjet për të mbledhur strukturat, një mobilizim total ndryshe nga herët e thjerra ku ishin degët e Tiranës që mobilizoheshin më shumë.
Gjithë simpatizantët dhe militantët janë thirrur të vijnë direkt në bulevard. Nuk do të ketë marshime nga selia e PD te Kryeministria.
Për të treguar masivitetin e pjesëmarrjes, më tepër se aksionin. Lidhur me aksionin, opozita është e rezervuar.
1100 efektivë të angazhuar për protestën, ku do të vendoset kordon para Kryeministrisë, do të vijohet me fjalimet, ku kryesisht do të jenë aktorët kryesorë të opozitës nga Flamur Noka, te Gazment Bardhi, anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë, por dhe aleatë, ku një pjesë e mirë janë mobilizuar për të marrë pjesë në këtë proces.
Në vijën e parë të protestës do të jenë deputetët, ata që kanë nisur aksionin opozitar.
Protesta pritet të jetë më tepër e fokusuar tek fjalimet se sa tek aksionet, në takimet që ka pasur Bardhi dhe Noka më tepër kanë kërkuar masivitet, se sa aksion.
Ndërkohë Sali Berisha do të jetë i pranishëm virtualisht me një fjalim nga banesa e tij.



