
Dhjetëra emigrantë janë zhdukur në Egje pasi anija me të cilën po udhëtonin u përmbys në ujërat midis ishujve Eubea dhe Andro. Lajmin e raporton Associated Press. Varka ishte nisur nga Turqia . Autoritetet greke kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit.
Roja Bregdetare greke raportoi se nëntë persona, të gjithë burra, u gjetën në një ishull shkëmbor të pabanuar në ngushticën e Kafirea midis dy ishujve, të cilët janë në lindje të kryeqytetit grek.
Të mbijetuarit u thanë autoriteteve se në bordin e anijes ndodheshin gjithsej rreth 68 persona.
Autoritetet fillimisht u alarmuan nga një thirrje para agimit nga pasagjerët të cilët paralajmëruan se ishin në telashe, por nuk raportuan vendndodhjen e tyre. Në zonën e mbytjes së anijes kushtet atmosferike ishin mjaft të vështira, për shkak të erërave të furtunës.



