Juristja dhe sipërmarrësja Majlinda Manushi duke folur në “MCN Economy” tha se të jesh grua në biznes është ende e vështirë në Shqipëri, pasi ka ende paragjykim mbi aftësitë e grave.
Ajo vë në dukje disa nga vështirësitë, mes të cilave fakti që gratë kanë përgjegjësi të dyfishtë, ku përfshihen detyrimet familjare, ndërsa shton se ka vështirësi edhe në raportet me institucionet dhe bankat, sa i takon granteve dhe kredive.
Manushi thekson se tani më shumë se kurrë duhen mbështetur gratë në biznes, të cilat sipas saj janë më të përgjegjshme se burrat.
Manushi tha se duhet të ketë një status special për gratë që hapin biznese. Ajo solli në vëmendje që në Kosovë dhe në Greqi gratë që hapin biznese të reja nuk taksohen për dy vjet.
Të jesh grua në biznes sinqerisht është e vështirë, sepse në radhë të parë, për vet shoqërinë ku ne jetojmë që është shoqëri maskiliste, ekziston paragjykimi mbi aftësitë e një gruaje për të bërë biznes. Gratë në biznes janë shumë të suksesshme. Gratë menaxhojnë bizneseve në ekonomi, tregti, por më tepër janë në fushën e shërbimeve. Nuk mbeten pas në aktivitete të tjera. Gratë kanë një gamë të gjerë të sektorit të biznesit ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Shqipëria është renditur e 108-ta, pa llogaritur që Maqedonia zinte vendin e 57-të, kjo tregon që Shqipëria është shumë mbrapa. Për të bërë një biznes një grua në Shqipëri është shumë e vështirë, për shkak edhe të taksave që sektori i biznesit të shërbimeve, që është tejmase i taksuar. Janë disa arsye pse një grua e ka të vështirë të bëjë biznes.
Në radhë të parë është nënë, familjare dhe ka përgjegjësi të dyfishtë nga një burrë, që ndoshta detyrimet familjare i ka më të reduktuara. Bizneset që drejtohen nga meshkujt, gratë i shohin si biznesmene jo shumë të afta, jo shumë të zonja. Ka vështirësi në raportet me institucionet shtetërore, ku pjesa maskiliste e sheh me indiferentizëm. Konkretisht me bankat. Nëse një grua dëshiron të marrë kredi në bankë, shikohet me mosbesim kur kërkon një kredi, një grant. Jo vetëm bankat, por mund të themi edhe qeveria vetë, që nuk i motivojnë, nuk i stimulojnë bizneset e drejtuara nga gratë.
Gratë në politikë kanë dhënë edhe kontributin e tyre në donacione, shoqata. Duhet mbështetur më shumë gruaja në biznes, sepse e marrin iniciativën për të hyrë në këtë fushë me dëshirën e mirë për të dhënë më të mirën e tyre, por ndoshta mund të kenë një handikap financiar. Gratë në biznes mund të mbështeten shumë mirë nga politika që mund të bëhen qoftë nga pushteti qwndror ashtu edhe ai lokal. Mund të mbështeten me fonde të posaçme për ta zhvilluar këtë sektor. Do doja që mbështetja e grave që bëjnë biznes të jetë së pari në sektorin e prodhimit. Ligjet janë shumë të mira por nuk respektohen dhe nuk aplikohen. Bizneset që drejtohen nga burrat s’kanë asgjë më tepër nga ato që drejtohen nga gratë. Gratë dinë ta bëjnë më me përgjegjësi punën e tyre, janë më të përgjegjshme. Më shumë se kurrë tani duhet një mbështetje nga politika dhe qeveria.
Sot në Shqipëri nuk është një derë që binzesi jo vetëm të marrë informacion për biznesin, por edhe të zgjidhë problemin. Ne kemi Dhomat e Tregtisë që janë inekzistente, pasi s’janë në shërbim të biznesit, por në shërbim të disa interesave të vogla. Bizneset, edhe femra edhe burra, nuk kanë një derë ku të trokasin, të marrin dhe të japin kundrejt anëtarësimit pranë kësaj zyre, por edhe të kenë informacion për hapjen e fondeve, granteve, start up-eve, nuk kemi të rregulluar pjesën e shërbimeve. Nuk dua të ndaj biznese të meshkujve apo femrave.



