Duke folur në “Mcn Econmy” mbi ngritjen e bankës së re për zhvillim, eksperti i ekonomisë Gjergj Buxhuku ngriti pyetjen përse ajo po ngrihet në një periudhë zgjedhore, duke theksuar se “bie erë e një instrumenti politik për vota”.
“Në parim politikat e kreditimit në Shqipëri janë një nga pikat më të dobëta që kanë dëmtuar prodhimin vendor, industritë vendore dhe kanë ndikuar në mos zhvillimin ekonomik të vendit. Ngritja e një banke zhvillimore është korrekte parimisht.
Por këtu ka disa problematika që janë edhe në brendinë e ligjit të sapo kaluar. E para është fakti që kjo bankë është kërkuar në vazhdimësi nga biznesi, është premtuar nga politika, dhe s’është bërë efektive. Bëhet efektive nga pikëpamja ligjore në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të majit.
Unë mendoj që duke qenë se qeveria kishte 13 vite mundësi që ta bënte të mundur ngritjen e një banke të tillë, e bën tani, nga pikëpamja ligjore, por s’është efektive në praktikë, do kohë. Bie erë edhe si instrument politik për vota”.
Buxhaku theksoi se këto instrumente bankare duhet të marrin parasysh strukturën ekonomike të vendit ku zbatohen.
“Janë instrumenta bankarë që duhen përpunuar duke patur parasysh realitetin ekonomik të vendit tonë, sepse ndryshe ka efektivitet në shtete me një strukturë ekonomikë të caktuar, si Norvegjia, Italia dhe ndryshe në rastin e Shqipërisë. Të gjithat politikat financiare dhe bankare s’janë të shkëputura nga realitetet ekonomike të secilit vend. Nuk është e thënë që në një strukturë ekonomike si Shqipëria të japin sukses, mund të dështojnë. Qeveritë në pjesën më të madhe kanë kopjuar ligje, akte ligjore që s’i përshtaten ekonomisë shqiptare”.



