Gazetarja Klodiana Lala tha për “Të Paekspozuarit” në MCN se e konsideron tepër shqetësues kapjen e disa pajisjeve përgjuese në portin e Durrësit, duke theksuar se përfshirja e dy zyrtarëve të Guardia di Finanza-s nuk është rastësore.
Sipas saj, kjo strukturë lëviz vetëm kur ka objektiva të nivelit të lartë nga bota e krimit ose politikanë të dyshuar se mund të kenë lidhje me organizatat kriminale. Lala nënvizoi se prania e tyre lë të kuptohet se mund të ekzistojnë interceptime apo hetime të thelluara mbi këto figura.
“Është e çuditshme që kjo ngjarje nuk ka marrë vëmendjen e duhur në media. Nuk kuptoj arsyen, pasi kemi të bëjmë me një ndër skandalet më të mëdha që po zhvillohet aktualisht në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo, për faktin se pajisjet e bllokuara në portin e Durrësit janë pajisje të sofistikuara përgjimi, të cilat ndodhen në ambientet e Prokurorisë së Durrësit dhe pritet t’i nënshtrohen ekspertimit.
Personalisht jam informuar për bllokimin e këtyre pajisjeve të shtunën mbrëma vonë, kur më është konfirmuar se disa persona, fillimisht të paidentifikuar, kishin udhëtuar drejt Shqipërisë. Fillimisht u dha një itinerar tjetër, por më pas u sqarua se ata kishin ardhur me tragetin e linjës Bari–Durrës, duke mbërritur në orët e para të mëngjesit të së premtes në portin e Durrësit.
Sipas burimeve shumë të besueshme — pasi as policia e kufirit, as policia e Durrësit dhe as policia e shtetit nuk kanë dhënë informacion apo koment zyrtar — këto pajisje kanë mbërritur në automjetin e tre shtetasve italianë. Ata kanë ardhur me pajisjet dhe kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë, ku kanë qëndruar rreth dymbëdhjetë deri në trembëdhjetë orë.
Dyshohet se gjatë këtyre orëve ata kanë kryer përgjime të paligjshme dhe të paautorizuara, pasi nuk ka ekzistuar asnjë marrëveshje apo skuadër e përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane — as me prokurorinë e posaçme, as me prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm — për kryerjen e përgjimeve. Pas përfundimit të aktivitetit të tyre, tre shtetasit janë ndaluar në momentin kur po përgatiteshin të merrnin tragetin e linjës Durrës–Ankona.
Fillimisht ata u identifikuan si punonjës të Guardia di Finanza-s. Më pas rezultoi se vetëm dy prej tyre ishin realisht pjesë e kësaj strukture, ndërsa nuk dihet nëse kishin marrë autorizim nga eprorët e tyre për të zhvilluar përgjime në ujëra territoriale ndërkombëtare ose në Shqipëri. Personi i tretë, gjithashtu shtetas italian, nuk ishte pjesë e Guardia di Finanza-s dhe, sipas verifikimeve paraprake, ishte kontraktuar për përdorimin e pajisjeve përgjimi.
Pas rreth tre orësh marrje në pyetje, burime konfidenciale konfirmojnë se tre shtetasit janë lejuar të largohen drejt Italisë bashkë me automjetin e tyre, i cili ishte kontrolluar. Ndërkohë, pajisjet janë bllokuar dhe pritet t’i nënshtrohen ekspertimit.
Deri tani, Prokuroria e Durrësit ka caktuar vetëm një prokuror për çështjen. Policia e ka referuar rastin, por nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar; përkundrazi, e ka përcjellë atë në mënyrë jo publike në prokurori për dy vepra penale: përgjim të paligjshëm dhe futje të mallrave kontrabandë, pasi pajisjet as nuk ishin të regjistruara, as nuk kishin leje apo autorizim nga autoritetet shqiptare.
Kemi një historik të ngjarjeve të ngjashme me pajisje përgjimi të dyshimta që kanë hyrë në Shqipëri. Kujtojmë pajisjen e famshme IMSI Catcher, që çoi në pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe dy zyrtarëve të tjerë. Ajo pajisje dyshohej se ishte përdorur edhe në burgje; një shtetas izraelit u arrestua dhe u mbajt i izoluar për disa javë në Rinas me pajisje përgjuese. Ka patur edhe dy raste të tjera pajisjesh të bllokuara në kufi.
Rasti aktual është shqetësues, sepse prania e dy zyrtarëve të Guardia di Finanza-s nënkupton se ata lëvizin vetëm në raste që lidhen me persona të rëndësishëm të botës së krimit ose me politikanë të caktuar, të cilët mund t’i kenë interceptuar në përgjime me lidhje të mundshme me krimin e organizuar.
Se kush janë personat e përgjuar, cili ka qenë itinerari i zyrtarëve në vendin tonë dhe çfarë ka ndodhur me rezultatet e përgjimeve — këto janë pyetje që Prokuroria duhet t’i sqarojë në kuadër të hetimit.
Megjithatë, heshtja e autoriteteve e thellon më shumë skandalin, sepse të gjitha institucionet shtetërore duhej të kishin nisur të paktën një hetim administrativ për të zbuluar se si brenda territorit të vendit janë kryer përgjime të paligjshme me pajisje të sofistikuara.
Pyetja që shtrohet është: përse tre personat — dy zyrtarët e Guardia di Finanza-s dhe personi i kontraktuar — u lejuan të largohen? Mund të ishte marrë masa e bllokimit të pasaportës deri në kryerjen e ekspertimit të pajisjeve.
Por deri më sot, të gjitha institucionet kanë refuzuar të japin komente.”



