Merkatoja e janarit po bëhet akoma edhe më e vrullshme në orët e fundit. Skuadrat e mëdha europiane i kanë bërë mirë llogaritë për fazën më kulminante të sezonit me objektivin e prezantimit sa më dinjitoz si në kampionatet e tyre, respektive ashtu edhe në arenën europiane. Një ndër to është edhe Milani, drejtuesit e të cilit kanë vendosur për anësorin e djathtë Diogo Dalot.
I huazuar nga Manchester United, portugezi i talentuar nuk i ka përmbushur pritshmëritë ashtu siç duhet nën drejtimin e Stefano Piolit duke ia prishur në njëfarë mënyre skemat italianit për vazhdimësinë. Megjithatë, drejtuesit nga Milano janë të bindur se potenciali real i 21-vjeçarit akoma nuk është vënë në dukje dhe shpresojnë në ndryshimin e kësaj situate sa më shpejt të jetë e mundur. Flitet se klauzola e Diogo Dalot nuk përfshin blerjen në mënyrë direkte sepse fillimisht duhet të negociojnë me sukses me gjigantët e Premier Leagues për ta arritur këtë objektiv. Sipas të famshmes italiane, “La Gazzeta Dello Sport”, direktiva nga Milano është shprehur se beson shumë në aftësitë e tij për mbulimin e krahut të djathtë të mbrojtjes në një kampionat shumë të fortë siç është Seria A.
Koha për konkretizimin e kësaj lëvizjeje mbetet për në merkaton verore ku do të tentojnë fuqishëm blerjen e kartonit të ish-it të Manchester United sepse konsiderohet një vlerë e shtuar për Milanin. Deri në këtë pikë të kampionatit, Milani i ka thyer të gjitha parashikimet sepse kryeson me 2 pikë avantazh nga Juventusi dhe konsiderohet një ndër favoritët kryesorë për t’i dhënë fund dominimit absolut të “Zonjës së Vjetër” . Karakteristikat e lojës së anësorit të lindur në Braga përputhen mjaft mirë me kërkesat e Stefano Piolit, fakt që në një farë mënyre ia siguron Milanit këtë repart për pjesën e mbetur të sezonit. Duhet theksuar se deri më tani Diogo Dalot është aktivizuar në 16 ndeshje nga italiani i mirënjohur, në të cilat ka shënuar 1 gol dhe ka dhënë 1 asist për shokët e skuadrës.



