
Pas shtatë muajsh tensione të vazhdueshme mes dy ekonomive më të mëdha në botë presidenti i SHBA, Joe Biden dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, kanë zhvilluar një diskutim përmes telefonit.
Gjatë një telefonate 90-minutëshe, e cila u inicua nga presidenti amerikan, të dy udhëheqësit diskutuan përgjegjësinë e tyre të përbashkët për të siguruar që konkurrenca të mos "kalojë në konflikt". Kështu ka deklaruar Shtëpia e Bardhë teksa shton se të dy udhëheqësit kishin "një diskutim të gjerë strategjik", përfshirë "fushat ku interesat janë të njëjta dhe fushat ku interesat, vlerat dhe perspektivat ndryshojnë".
Biden dhe Xi ranë dakord të angazhohen "hapur dhe drejtpërdrejt".
"Ky diskutim, siç e bëri të qartë Presidenti Biden, ishte pjesë e përpjekjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për të menaxhuar me përgjegjësi konkurrencën midis Shteteve të Bashkuara dhe PRC," thuhej në deklaratë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe udhëheqësi i Kinës Xi Jinping kanë folur në telefon, duke i dhënë fund një hendeku gati shtatë mujor në komunikimin e drejtpërdrejtë mes udhëheqësve të dy ekonomive më të mëdha në botë.



