Dhjetëra mijëra njerëz u larguan nga shtëpitë e tyre në Pekin pasi tajfuni Doksuri, një nga stuhitë më të forta në vite shkaktoi shi të rrëmbyeshëm në të gjithë Kinën, ndërsa sinoptikanët paralajmëruan se një tjetër stuhi e nivelit të uraganit ishte në rrugë e sipër. Valët e të nxehtit përfshinë Kinën më herët se zakonisht këtë vit, ndërkohë që janë vendosur rekorde në mbarë botën për temperaturat globale, nxehtësinë e oqeanit dhe humbjen e akullit të detit. Doksuri përfshiu provincën bregdetare juglindore të Fujian në fund të javës së kaluar, dhe solli sasi të mëdha shiu në të paktën pesë provinca veriore kineze që nga e shtuna. Më shumë se 31,000 njerëz u evakuuan nga kryeqyteti kinez që nga nata e së dielës, raportoi transmetuesi shtetëror CCTV. Gjysmë milioni njerëz në provincën jugore të Fujian u detyruan të evakuohen nga përmbytjet, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua. Stuhia vrau dy dhe dy të tjerë u zhdukën në provincën verilindore Liaoning. Këtë të hënë, nëntë rrethe të Pekinit ishin nën një alarm të kuq për stuhi shiu, më i larti në mekanizmin paralajmërues të vendit. Të paktën 95 paralajmërime të tjera për motin janë lëshuar në të gjithë vendin. Reshjet e forta shkaktuan mbylljen e përkohshme të disa hekurudhave dhe autostradave në kryeqytet, ndërsa shkollat gjithashtu mbetën të mbyllura dhe njerëzve iu tha të qëndronin brenda.



