
Policia e Tiranës ka njoftuar finalizimin e operacionit policor të koduar "Balcony", për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në ballkonin e banesës së një 27-vjeçareje.
Mësohet se bëhet fjalë për këngëtaren Ruenca Haxhiaj, e njohur me emrin si Enca e cila është arretsuar nën akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetase kishte kultivuar bimë narkotike, në ballkonin e banesës së saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Balcony".
Si rezultat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasja R. H., 27 vjeçe, banuese në Lundër.
Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçares, në ballkon, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në vazo.
Këngëtarja Enca, ka dhënë dëshminë e saj pranë forcave policore teksa ka pranuar se është përdoruese e hashashit dhe e konsumon atë për përdorim vetjak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.



