
Dita e sotme do t’i gjejë protestuesit sërish para Ministrisë së Brendshme prej orës 19:30, në protestën e dytë me radhë nën moton “Drejtësi për Jonadën”, e cila u vra teksa ishte në plazh nga një skaf, që drejtohej nga komisari i Policisë, Arjan Tase.
Qytetarët, të cilët u mblodhën fillimisht më 4 gusht, kërkuan shkarkimin e tre zyrtarëve të lartë pas vrasjes me skaf të një 7-vjeçareje nga një oficer i lartë policie.
Protestuesit kërkojnë largimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Këta të fundit, konsiderohen si përgjegjësit kryesorë të ngjarjes së rëndë në Potam të Himarës.
Në protestën e sotme, opozita rikonfirmon praninë e saj duke mbështetur tubimin e shoqërisë civile.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se do të mbështeste protestën e lajmëruar.
Numri dy i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, gjithashtu bëri thirrje që nesër qytetarët të dalin në protestë kundër qeverisë.
Jonada Avdia, 7-vjeçarja nga Tropoja, u vra në breg të detit ndërsa ishte duke u larë me të atin.



