Agim Alia, drejtor i Ligës së universiteteve “Gjon Durrahium”, e sheh ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë shqiptar si një rrugë të sigurt për rritjen e cilësisë. Në studion e MCN Informacion, ai tha se përmes kësaj strategjie mund të arrihet edhe tërheqja e kapitalit njerëzor të kualifikuar në vendin tonë.
Ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë është promotori më i rëndësishëm për reformimin dhe ndryshimin e arsimit. Është e rëndësishme ardhja e studentëve të huaj por edhe mbajtja e tyre si kapital njerëzor i kualifikuar. Vende të Europës Perëndimore p.sh. parashikojnë politika tërheqëse për studentët e huaj. Nëse marrim rastin e Suedisë, ata u japin studentëve të huaj mundësi punësimi pa i kufizuar gjatë kohës së studimeve. Franca p.sh. vitet e studimit i redukton në momentin që aplikojnë për shtetësi franceze. Ka vende si Estonia që u japin mundësi punësimi pas përfundimit të studimeve.
Tashmë ne jetojmë në një ekonomi globale ku ndërkombëtarizimi luan një rol mjaft të rëndësishëm. Ne duhet të ndjekim politikat e vendeve të tjera të zhvilluara. Ajo që unë kam prezantuar në rekomandimet kryesore është fakti se ne, si shumë vende të tjera të OECD duhet të hartojmë një strategji të posaçme për ndërkombëtarizimin ku të evidentojmë elementët kryesorë që lidhen me vendin tonë. Duhet të tërheqim fuqi punëtore të kualifikuar që të vijnë jo vetëm si studentë por të tërheqin edhe familjarët e tyre.
Ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë krijon atë që ne e quajmë cilësi e arsimit të lartë.



