Henri Banushi ka ndarë eksperiencën e tij personale dhe sfidat që ka hasur gjatë studimeve në Kinë në emisionin “Zgjohu me MCN”.
Ai foli për arsyet që e çuan drejt këtij vendi, kulturën, gjuhën, ushqimin dhe jetesën e përditshme, duke treguar se si kjo eksperiencë po formëson perspektivën e tij profesionale.
Kurioziteti dhe kultura e tyre më shtynë të shkoja për studime në Kinë. Atje, gjuha standarde është mandarina, por secila provincë ka dialektin e vet. Në disa zona të ndryshme, si jugu ose veriu i Kinës, dialektet janë aq të ndryshme sa nuk kuptohen mes tyre. Besoj se kudo që shkon, flitet gjuha standarde.
Ai shtoi se Kina ofron një mënyrë të ndryshme jetese nga Shqipëria, duke përfshirë transportin më komod dhe shërbimet që mund të kryhen lehtësisht përmes telefonit me kosto minimale.
Në Kinë, çmimet janë nga më të lirat te më të shtrenjtat, duke të lënë mundësi zgjedhjeje. Me ushqimin u përshtata sepse e kisha provuar që në Tiranë, por nuk ishte aq e lehtë, pasi produktet e bulmetit aty pothuajse nuk ekzistojnë. Vetëm qeratë e shtëpive janë pak më të shtrenjta, dhe në periferi shkojnë deri në 800 euro, prandaj të rinjtë preferojnë të ndajnë shtëpitë mes tyre.
Ai vijoi të flasë për studimet e tij: “Unë studioj për menaxhim turizmi. Kemi shumë projekte dhe punë në grup, dhe intensiteti është i lartë. Në të ardhmen shpresoj të kontribuoj më shumë për Shqipërinë”.



