Miliardat e gllabëruara të Rrugës së Kombit

Miliardat e gllabëruara të Rrugës së Kombit

Ideja për ndërtimin e një autostrade që bashkon Shqipërinë më Kosovën ka qënë e hershme. Projekti është diskutuar gjatë, por propozimi i parë zyrtar është bërë në vitin 1996 nga Sali Berisha, në atë kohë President i Shqipërisë. Lufta e vitit 1999 në Kosovë solli edhe njëherë interesin e qeverisë shqiptare për të patur një rrugë që do të bashkonte dy kombet. Ish -kryeministri Pandeli Majko propozoi ndërtimin e këtij aksi duke vendosur njëkohësisht dhe 3 taksa për rrugën patriotike. Taksa “Majko” mblidhte 1% të vlerës së mallrave që hynin nga importi, 30 mijë lekë për bizneset të përfshirë në skemën e tvsh-së dhe 3 lekë për çdo litër karburanti që blihej nga drejtuesit e mjeteve, e cila sot njihet si taksë qarkullimi. Taksa për rrugën e Kombit mblodhi rreth 80 milion euro, por një komision hetimor parlamentar i ngritur në vitin 2005 konstatoi se vetëm 3% e këtyre parave kishin shkuar për rrugën. Iniciativa për ndërtimin e rrugës së Kombit ishte kufizuar në hapjen 4.7 kilometrave trase për segmentin nga Rubiku në Reps. “Ajo që e dallon këtë rrugë mes qeverisë Berisha dhe asaj Majko, është që Berisha tha do ta bëj dhe e bëri.” thotë inxhinieri Arben Meçe. “Efekti në ekonomi i rrugës është shumë pozitiv. Është si të bashkohen dy pjesë të një trupi të ndara prej shekujsh. Nga pikëpamja e kostos duke patur parasysh rrugë të tjera të ndërtuara më mbrapa, janë kosto shumë konkurrenciale.” thotë Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustria-s. Qeveria Berisha e sapoardhur në pushtet në vitin 2005 mori angazhimin për ndërtimin e kësaj rruge e mbështetur në një studim fizibiliteti të Bankës Botërore. “Ka qënë një projekt i Bankës Botërore fillimisht i cili kishte si qëllim të bënte korridorin e Shqipërisë me Kosovën. Projekti kishte një korsi një çdo krah plus ato të emergjencës që në gjykimin tim për kohën ishte i mjaftueshëm. Vlera e projektit ishte diku të 320 milion euro”. thotë inxhinieri Arben Meçe. Për ndërtimin e saj u kontraktua firma Bechtel-Enca. E para një kompani amerikane e cila do të merrej me ndërtimin e urave, tunelit të Kalimashit dhe veprave të tjera të artit, ndërsa shoqëria turke Enca do të ndërtonte pjesën veriore të segmentit. “Për herë të parë u aplikua varianti që unë të sjell situacionin dhe t’i paguan dhe situacioni dorëzohet pa bërë një projekt dhe pa ditur koston. Unë mblodha punimet e volumit të gërmimeve të raportuara dhe arrita në një konkluzion që volumi i gërmimeve nga Rrësheni në hyrje të tunelit ishin shumë të fryra, gati 7-8 herë më i lartë se volumi i mundshëm i gërmimeve.” thotë Meçe. “Në të gjithë veprat e mëdha që bëhen siç është rruga e Kombit, që është një nga projektet më madhore në trojet shqiptare, që e tejkalon efektin ekonomik, ka efekt të jashtëzakonshëm strategjik, edhe nga pikëpamja e kostove janë kosto normale.” thotë Buxhuku. Fondi i përllogaritur në studimin e fizibilitetit për këtë vepër u llogarit fillimisht 600 milion euro, por në fund rruga kushtoi afërisht 1 miliard euro, duke u bërë një nga projektet më të shtrenjta në infrastrukturën e vendit: 114 kilometra me 4 korsi, 27 ura dhe një tunel me gjatësi 5.5 kilometra. Akuzat për abuzime në këtë aks nuk munguan. “Në ministrinë e Ndërtimit në atë kohë unë isha drejtor i Përgjithshëm, mu prezantua një grup si Enca që kishte një projekt që do të ndiqte një logjikë që legjistlacioni shqiptar nuk e lejonte dhe unë thashë që skema e financimit duhet të ishte e thjeshtë: bëj projektin, preventivin, prokuroje dhe jep financimin.” thotë Meçe. Por ajo që i vuri vulën dyshimeve të opozitës ishte raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili konstatoi për një dëm ekonomik në vlerën e 240 milion euro si pasojë e shkeljes së barazisë në tendera. “Është një projekt që është bërë shpejt e shpejt dhe kur u hap çështja, kur unë bëra denoncimin dhe media filloi të amplifikonte korrupsionin u prodhuan akte normative, kjo është shkelje e madhe ligjore dhe për këtë kam kërkuar hetimin që atëherë sepse nuk mund të dalin aktet normative kur ka filluar puna. Por duke qënë se veprimet ligjore për fillimin e punës dhe nisën të kamuflohen pasi nisën punimet.” tregon Meçe. Pjesa më e madhe e rrugës përfundoi në qershor të vitit 2008. “U pretendua se tuneli do të kishte një kosto të lartë sepse do të vinte një makineri e madhe e cila si ‘krimb’ do të çante tunelin. Ajo nuk erdhi kurrë dhe u bë skema klasike e shpimeve, shpo-shpërthe, shpo-shpërthe dhe erdhi puna që nuk po ecte puna sa të arrinte fushatën elektorale dhe Berisha dha urdhër që të shpërthenin sa më shumë dhe si rrjedhojë u shemb një nga panelet në daljen e Rrëshenit dhe vetëm nga kjo shembje, shteti shqiptar shtoi koston me 20-30 milion euro.” kujton Arben Meçe. “Zhurmë politike do të ketë në çdo moment, por kur e shohim në retrospektivë, kuptojmë që kemi të bëjmë me një vepër madhore që duhet vlerësuar. Ka një problem, që është problemi ky investim kaq madhor nga të dy shtetet Shqipëri dhe Kosovë nuk janë shfrytëzuar aq sa duhet.” sqaron Buxhuku. “Rruga nga Thumana deri në Rrëshen është zbatuar sipas projektit të Bankës Botërore, nga Rrësheni deri te tuneli i Kalimashit, ka qënë projekti i Bechtel-Enca dhe pastaj nga tuuneli në Morinë u bë me lote nga kompani shqiptare. Ndodhi një fenomen i çuditshëm që në momentin që kompanitë paraqitën situacionet, duke qënë se ishin të pa miratuara nuk u paguan. Këto kompani hodhën shtetin në gjyq dhe fituan në gjykatë të drejtën e marrjes së parave. Shumë nga këto kompani që kishin punime në vepra arti, ura, viadukte, bënë vetëm një pjesë të punimeve dhe jo pjesën tjetër. Përpara disa vjetësh para se rruga të jepej me koncesion, të gjitha urat ishin të papërfunduara.” thotë Meçe. Por pjesë të ndryshme të segmentit: 7 ura në Kukës, ura e madhe mbi lumin Drin dhe lidhja e rrugës me Durrësin nuk përfunduan për vite me radhë, edhe pse aksi ishte funksional. “Është e qartë nga të gjithë që nuk mbarojnë dhe pjesët e tjera që lidhin me rrugën e Kombit me nyje strategjike siç është Durrësi dhe Tirana. Ne shikojmë pjesët janë në gjendje të vështirë dhe nuk mbaron prej kohësh një krah nga Thumana në Fushë-Krujë që janë 10 kilometra dhe janë ferr i vërtetë.” thotë Gjergj Buxhuku. Projekti fillestar për ndërtimin e rrugës së Kombit ishte më i madh se rruga që është sot. Ai përfshinte ndërtimin e segmentit Durrës – Milot dhe deri në Kukës, në total 170 kilometra nga 114 kilometra që kanë përfunduar. Në të njëjtën vlerë janë ndërtuar edhe 80 kilometrat e autostradës “Ibrahim Rugova” që lidhin Prishtinën me Prizrenin. Autostrada në Kosovë përfundoi për 4 vjet dhe me standarde e cilësi më të mirë. “Një nga debatet që ne kishim ishte pikërisht ky. Nuk ka nevojë për diskutime, shih standardin në Kosovë dhe shih atë në Shqipëri. Rruga e Kombit nuk ka fare punime betoni, shumica janë bërë me gurë. Të bësh autosdradë vetëm më gurë, llaç dhe gabiona është një pikëpyetjke e madhe!” thotë inxhinieri Meçe. “Kosova është një shtet më demokratik se Shqipëria dhe niveli i korrupsionit në Kosovë është më i ulët se Shqipëria dhe kjo përshkruan ndryshimet e standardeve të demokracisë në të dy vendet.” thotë Buxhuku.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy