Plani financiar i qeverisë për përballimin e krizës së koronavirusit lë jashtë mijëra punonjës të bizneseve, të cilët nuk përfitojnë asnjë lek, ndërsa edhe ata që përfitojnë, do të vihen përpara vështirësive për periudhën e marsit. Në një bashkëbisedim në studion e lajmeve të TvT, gazetari Klodian Tomorri tha se spostimi i planit financiar është bërë nga qeveria për të dhënë sa më pak para.
“Qeveria do të japë sa më pak para prandaj nuk e ka shtrirë pagesën që më 12 mars, kur qeveria imponoi mbylljen. Spostimi më 1 prill është për arsye buxhetore, pasi qeveria kërkon të japë sa më pak para. Paketa nuk jep para për më parë, mund t’u imponohet punonjsve të paguajnë se leje të detyrueshme. Për të vetëpunësuarit nuk ka pagesë”, tha ai.
Tomorri tha se skema lë jashtë punonjësit e shumë biznese. Ndërkohë, në pamundësi për t’i paguar, bizneset kanë filluar largimet.
“Nuk sens që një biznes i cili nuk ka punë nuk ka pse të marrë kredi t’u paguajë pagat. Kanë filluar që tani pushime nga puna. U thotë rrini në shtëpi dhe kur të hapet, fillon puna. Numri i punonjsve që do të humbasin punën gjatë kësaj periudhe është shumë më i madh se ai që prek qeveria përmes buxhetit”, tha ai.
Sipas Tomorrit, me planin financiar, qeveria prek 60 mijë të punësuar dhe të vetëpunësuar në biznesin e vogël, ndërkohë e gjithë pjesa tjetër e punonjësve nuk marrin asnjë pagesë.
Tomorri tha se nuk ka logjikë ekonomike që media të konsiderohet ndryshe nga bizneset e tjera.
“Duhet të trajtohet njësoj. Thelbi i paketës së qeverisë duhej të ishte që çdo punonjës që mbetet i papunë duhej të ndihmohej përmes buxhetit, në një masë që edhe paga minimale do të ishte e mjaftueshme. Kjo masë duhej shtrirë jo vetëm në biznesin e vogël, por edhe në atë të madh. Pra për çdo rrogëtar. Nuk mendoj se duhet të ketë trajtime preferenciale për t’i dhënë para medias apo biznesve të tjera. Kjo është situatë kur shteti bën politika sociale për të mbajtur njerëzit gjallë dhe jo për të asistuar bizneset”, tha ai.



