Një avion me 118 pasagjerë në bord është marrë peng në Libi. Burime nga aeroporti i Maltës thanë se një avion libian është marrë peng nga dy persona.
Pengmarrësit e kanë detyruar pilotin të bëjë ulje në Maltë. Nga raportimet e para, pengmarrësit përshkruhen si adhurues të Gedafit.
Pengmarrjen e avionit libian e konfirmoi edhe kryeministri i Maltës, Joseph Muscat, me anë të një postimi në Tuiter.
Dy pengmarrësit raportohet se kanë me vete një granatë dore dhe kanë kërcënuar se do të hedhin në erë avionin nëse nuk u plotësohen kërkesat. Natyra e këtyre të fundit nuk është bërë e ditur.
Avioni në fjalë po fluturonte nga Sebha në Tripoli, dy qytete të Libisë. Në bordin e tij janë 111 pasagjerë dhe 7 pjesëtarë të ekuipazhit. Avioni ndodhet në aeroportin e Maltës, i rrethuar nga policia, e cila po përpiqet të negociojë me pengmarrësit.



