
Gledis Guri, një shkencëtar i njohur në fushën e mjedisit, ka bërë një zbulim të rëndësishëm shkencor lidhur me ADN-në mjedisore dhe mënyrën se si mund të identifikojmë gjallesat që ndodhen në det.
Guri, i cili ka trashëguar dashurinë për natyrën nga i ati, Sazani Guri, është një biolog detar i njohur ndërkombëtarisht për kontributin e tij në mbrojtjen e mjedisit.
Në një intervistë për programin “Zgjohu me MCN”, Guri shpjegoi se pasioni i tij për shkencën dhe mbrojtjen e natyrës ka filluar që në fëmijëri, duke kaluar nga "tokat në det".
Si fillim do thoja se kam marrë rrugën e shkencës jo vetëm për faktin e rrugës nga babi Sazani, por edhe për faktin se është një nga gjerat që ndjehem më mirë të bej dhe me jep kënaqësi.
Tema ‘biolog detar’ ishte e rastësishme meqë unë gjithmonë kam qenë i prirur ndaj mbrojtjes së mjedisit dhe nga fushata ku arrita të çaja më shumë ishte bota nënujore, po gjithmonë në aspektin e mbrojtjen e mjedisit, thjesht ‘nga toka e kam çuar në det’.
Në lidhje me ADN-në mjedisore, Guri tha se kjo metodë zbulimi është një nga më të avancuarat në identifikimin e organizmave që ndodhen në ujë.
ADN-ja mjedisore është një teknikë që përdoret për të kapur gjurmët e ADN-së që organizmat lëshojnë në mjedis. Kjo ADN mund të jetë nga qelizat, flokët, lëkura, apo mbetje të tjera që organizmat lënë në ujë dhe që mbeten të pranishme për një periudhë të caktuar kohe.
Duke e sekuestruar dhe analizuar këtë ADN, mund të identifikojmë se cilat specie kanë qenë të pranishme në ujë gjatë një periudhe të caktuar.
Kjo metodë është aplikuar në shumë vende, duke përfshirë Finlandën, Suedinë, Norvegjinë dhe SHBA-në, dhe se ajo ndihmon në studimin e ekosistemeve të ndryshme akvatike.
Guri, i cili ka kryer studimet e tij në Suedi dhe Norvegji, shpjegoi se kjo metodë është zhvilluar dhe përmirësuar që nga viti 2015 dhe është përdorur për të kuptuar më saktë se cilat specie jetojnë në ekosistemet e ndryshme detare.
Ne jemi fokusuar sidomos në peshqit komercialë, pasi ata janë më të rëndësishëm për politikëbërësit dhe për qeveritë që financojnë kërkimet shkencore.
Ne e përdorim ADN-në mjedisore për të numëruar popullatat e këtyre specieve dhe për të monitoruar shëndetin e ekosistemeve detarë.
Ekosistemet veriperëndimore të Evropës dhe detet e Amerikës janë disa nga rajonet ku janë kryer kërkime të thelluara për të kuptuar pasuritë natyrore që përmbajnë.
Metoda që ne përdorin është joinvazive, që do të thotë se ajo nuk dëmton asnjë organizëm dhe është një mjet shumë efikas për studimin e biodiversitetit të botës nënujore.



