Kryeministri Rama do të tërheqë padinë ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Rama e konfirmoi vetë këtë në konferencën e shtypit që po mban në Prishtinë, pas takimeve me krerët e lartë të shtetit.
Rama e paditi kryeministrin e Kosovës në janar të këtij viti.
"Ramushit i kam kërkuar takim si të gjithë në selinë e tij apo në shtëpinë e tij. Shpifja ishte mbi mua, mbi Ramushin, mbi të gjithë. Do ta tërheq padinë. Do ta tërheq padinë jo se është e vogël për mua, por është shumë e madhe ajo që sot na bashkon të gjithë. Nuk e di çfarë raporti lind mes nesh pas tërheqjes së padisë. Me shpifje apo pa shpifje, Ramush Haradinaj nuk është kryeministri, politikani, është figurë e rëndësishme politike", tha Rama.
Në padinë 30-faqëshe të depozituar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Rama akuzonte për shpifje Ramush Haradinajn, duke iu referuar deklaratat e tij në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve.
"Në datën 17.10.2019 dhe 29.10.2019, i padituri Ramush Haradinaj, në kohën e kryerjes së deklaratës, kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, gjatë një interviste të dhënë gazetarit Artur Zheji e të publikuar në emisionin 360 gradë në datën 17.10.2019 si dhe gjatë intervistës së kryer në datën 29.10.2019 në emisionin televiziv Pressing/Zona Pressing të publikuar në televizionin "T7” të Republikës së Kosovës, ka kryer deklarim publik të fakteve shpifëse e mashtruese në adresë të Paditësit me pasojë cenimin e nderit, personalitetit, reputacionit dhe dinjitetit të Paditësit me pasojat e parashikuara në legjislacionin e zbatueshëm”, thuhej në padinë e depozituar në gjykatë nga ana e kreut të qeverisë shqiptare.
A keni mbajtur jelek antiplumb gjatë vizitës?
Dje nuk ua aprovoj dot, për sot ua kisha provuar me qejf. E dini që nuk e kam problem trupin tim. Këto janë nivele… Më lini kur të shkoj në Tiranë të dëgjoj këtu, mos i sillni deri këtu lajmet nga puseta e Saliut. Antiplumb!
Kush qëndron pas kësaj?
Për këtë keni konspiracionistë në Kosovë dhe mund t’i pyesni. Sa më shumë të shtyheni na labirinthin kush qëndron mbrapa, mund të na dalë që në fund të atij labirinthi jemi ne.



