
Shtëpia e vjetër e yllit të ndjerë të Hollivudit, Betty White, është në shitje, me një çmim mbi 10.5 milionë dollarë.
Prona me pesë dhoma gjumi del në treg për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli, vetëm disa muaj pas vdekjes së yllit, e famshme për rolet e saj në " The Golden Girls " dhe "The Mary Tyler Moore Show".

White, karriera e së cilës zgjati shtatë dekada, vdiq në shtëpi herët në natën e Vitit të Ri, vetëm disa javë para ditëlindjes së saj të 100-të. Ajo kishte pësuar një goditje gjashtë ditë më parë.
E ndërtuar në vitin 1952, shtëpia e Brentwood Park, e cila ofron pamje të Muzeut Getty dhe maleve përreth, reklamohet me Sotheby's International Realty për 10,575 milionë dollarë.
Prona është "mbajtur me dashuri", ndërsa "ambienti është i qetë me kopshte të mbushura me lule dhe pemë të vjetra".

Blerësve të mundshëm u thuhet se prona, e cila ka gjashtë banja dhe tre të katërtat e një hektari tokë, po shitet për "vlerën e tokës".
"Kjo është një mundësi unike për të ndërtuar shtëpinë tuaj të ëndrrave në një tokë të sheshtë në një mjedis të qetë fshati."

Sipas Wall Street Journal , të dhënat e pasurisë tregojnë se White dhe burri i saj i tretë, personaliteti i ndjerë televiziv Allen Ludden, blenë shtëpinë në vitin 1968, pesë vjet pasi u martuan.




