Turqia mban sot referendumin për ndryshimet kushtetuese mbi presidencën. Qendrat e votimit në pjesën lindore janë hapur që në orën 6:00 (me orën tonë lokale) dhe do të rrinë të hapura deri në orën 16:00. Ndërsa në pjesën tjetër të vendit, përfshirë Stambollin dhe Ankaranë, procesi ka nisur një orë më vonë dhe mbyllet në orën 17:00.
Pesëdhjetë e pesë turq janë thirrur për të marrë pjesë në votim. Ndërkohë, të paktën 1.3 milionë turq që jetojnë jashtë vendit e kanë shprehur vullnetin e tyre, me një pjesëmarrje rekord me 45%.
Për të kaluar ose jo, referendum nuk ka nevojë për kuorum. Mjafton një shumicë e thjeshtë për të bërë të mundur ndryshimet kushtetuese.
Dita e zgjedhjeve është paraprirë nga një fushatë e zjarrtë brenda dhe jashtë kufijve të vendit. Referendumi që shumë media të huaja e kanë cilësuar “superpresidencializmi” është në fakt basti më i madh i presidentit Rexhep Taip Erdogan. Nëse referendum gjen mbështetje në popull, Erdogan do të mbetet në pushtet deri në vitin 2034.
Të shumta janë pasiguritë, pavarësisht mbështetjes që presidenti ka në popull. Ditët e fundit ka pasur një përmbysje të sondazheve në favor të “po”-së për ndryshimet kushtetuese, pas kryesimit që opsioni “jo” pati në nisje të fushatës. Megjithatë, shumë sondazhe parashikojnë një rezultat barazimi pothuajse kokë më kokë, që mund të mbajë pezull presidentin turk deri në numërimin e votive të fundit.
Zonat më të luhatura duket se janë Stambolli dhe lagjet në të dy anët e Bosforit.
“Nesër është një ditë shumë e rëndëishme, duhet të shkoni të votoni. Kushtetuta e re do të sjellë më shumë besim dhe stabilitet, që i duhen vendit tonë për t’u rritur. Një po për një komb, një flamur, një atdhe, një shtet”, ka thënë Erdogan dje.
“Turqia ndodhet në zgrip. Nesër duhet të marrim vendimin tonë. A duam një sistem parlamentar demokratik apo qeverinë e një njeriu të vetëm”, ka qenë apeli i fundit i Kemal Kilicdaroglu, lideri kryesor i opozitës. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



